Zgjidhet çështja e kufirit Mal i Zi – Bosnje

0

Mali i Zi e ka zgjidhur çështjen e kufirit me Bosnjen dhe Hercegovinën (BeH) dhe pritet që së shpejti të nënshkruhet marrëveshja për kufirin shtetëror, ka paralajmëruar Kryetari i Departamentit për Menaxhimin e Kufirit dhe Vendkalimeve Kufitare, Milan Paunovic.

Mali i Zi dhe BeH do të jenë, pas nënshkrimit të marrëveshjes, shtetet e para nga ish-Jugosllavia të cilat do ta zgjidhin çështjen e kufijve. Paunovic ka thënë se Qeveria e Malit të Zi i ka mbaruar të gjitha procedurat e nevojshme dhe se tani pritet që ato t’i mbarojë edhe pala boshnjake.

Ai ka shtuar se marrëveshjen do ta nënshkruajne Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi dhe Ministri i Punëve Civile të BeH.

Paunovic gjithashtu është shprehur se finalizimi i procedurave për ndarjen e kufirit ndërmjet këtyre dy shteteve do të inkurajojë shtetet e tjera të ish-Jugosllavisë për të zgjidhur çështjet e hapura bilaterale.

Ai ka shtuar se është përcaktuar edhe “pika e takimit” të kufijve shtetërorë ndërmjet Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës dhe se edhe për këtë pikë kufitare do të nënshkruhet marrëveshja së shpejti.

Paunovic ka deklaruar se me Serbinë nuk ka pasur negociata lidhur me kufijtë dhe se me Kroacinë kjo çështje është në kompetencat e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Integrimit Evropian.

Pritet që këto aktivitete do të kontribuojnë për zhvillimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve miqësore, stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon. Këto aktivitete paraqesin respektimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë politike të Malit të Zi dhe shteteve fqinje.