Zbulohet në Angli Kurani më i vjetër në botë

0

Në Universitetin e Birmingemit në Angli mendohet se janë gjetur fragmentet më të vjetra në botë të Kuranit. Sipas BBC, të dhënat e siguruara me radiokarbon tregojnë se manuskripti është të paktën 1370- vjeçar. Faqet e tekstit të shenjtë mysliman ishin në librarinë e universitetit prej një shekulli, por nuk dihej shumë për to.

Manuskripti ruhej mes një koleksioni me të tjera libra të Lindjes së Mesme, pa u identifikuar si një prej fragmenteve më të vjetër të Kuranit në botë. Por kur një shkencëtar vendosi të shihte më nga afër faqet, u vendos të bëhej një test radiokarboni dhe rezultati ishte befasues. Susan Worrall tha se shkencëtarët nuk e prisnin as në ëndrrat më të egra që këto fragmente të ishin kaq të vjetra.

Profesori David Thomas thotë se personi që e ka shkruar mund ta ketë njohur vetë Profetin Muhamed.
“Mund ta ketë parë, mund ta ketë dëgjuar duke predikuar,” thotë ai.