Vetëvendosja: Shqiptarët në Mal të Zi të papërfaqësuar

0

Derisa pakicat në Kosovë kanë 4 ministra, një zëvendës- kryeministër dhe 6 zëvendës-ministra, shqiptarët në Luginë të Preshevës dhe ata në Mal të Zi nuk kanë asnjë post institucional, thuhet në një komunikatë për medie të Lëvizjes Vetëvendosje.

Me këtë komunikatë Vetëvendosja i kthehet temës së saj të preferuar: temave mbarë-shqiptare.

“Mustafa dhe Thaçi serbeve në Kosovë ua kanë plotësuar këto dëshira, përderisa shqiptarët në Luginë dhe ata në Mal të Zi nuk e kanë aspak të njëjtin trajtim. Madje, në të njëjtat pika ku serbët në Kosovë sipas kësaj marrëveshje do të trajtohen me kujdes të veçantë, shqiptarët në këto dy vende shtypen dhe trajtohen padrejtësisht përditë”, shkruan Vetëvendosja.

Dy koalicionet shqiptare në Mal të Zi të përbëra nga gjithsej 6 subjekte politike kanë nënshkruar marrëveshje për përkrahje të shumicës parlamentare, dhe ato nuk kanë asnjë post në Qeverinë malazeze. Kjo dëshmon edhe një herë që diskriminimi i hapur ndaj shqiptarëve në trojet e tyre po vazhdon, deri sa po bëhet presion i hapur ndaj Kosovës për privilegjimin e pashembullt të pakicës serbe, thuhet në komunikatë.

Lëvizja Vetëvendosje insiston që vetëm reciprociteti në marrëdhëniet në mes shteteve, përfshirë edhe të drejtat dhe kujdesin ndaj etniteteve tjera, është garanci për harmoni në mes popujve dhe paqe në mes shteteve, përfundon komunikata.

Marrë nga:  www.malesia.org