Ushtritë e Ballkanit premtojnë më shumë bashkëpunim në rast të fatkeqësive natyrore

0

Pas vërshimeve të shumta dhe me dëme të mëdha këtë vit në Bullgari, Serbi, Kroaci dhe Bosnje, udhëheqësit ushtarakë të 9 shteteve të Evropës Juglindore premtojnë të punojnë së bashku për të koordinuar veprimet emergjente në rast të fatkeqësive natyrore në të ardhmen.

Përfaqësuesit ushtarakë nga Shqipëria, Bosnja, Bullgaria, Greqia, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe Turqia u takuan muajin e kaluar në forumin B9 në Sarajevë. Ky forum është një platformë e formuar në vitin 2007 për të avancuar bashkëpunimin ushtarak.

Gjatë forumit është vendosur që pjesëmarrësit të takohen të paktën një herë në vit. Ata gjithashtu kanë rënë dakord për të pasur një listë procedurash për të reaguar shpejt dhe në mënyrë efektive gjatë emergjencave. Kjo listë do të miratohet nga qeveritë përkatëse.