Universitetet turke dhe të Ballkanit do të bashkëpunojnë në shoqatën e re

0

Universitetet turke dhe të Ballkanit përgatitën terrenin për një Shoqatë të Universiteteve të Ballkanit (BUA) me një takim më 11 shtator në Universitetin Trakya në Edirne. Duke mbajtur një fjalim gjatë takimit inaugurues, rektori i Universitetit Trakya, profesori Jener Joruk, tha se shoqata e re do të sigurojë një platformë të qëndrueshme bashkëpunimi për të folur mbi shqetësimet dhe idealet e përbashkëta.

“Qëllimi kryesor i Shoqatës së Universiteteve të Ballkanit është të përcaktojë një vizion kryesor për të ardhmen nëpër universitetet, bibliotekat, qendra kërkimore tona në rajonin e Ballkanit, në bazë të vlerave të përbashkëta botërore,” tha Joruk gjatë fjalimit të tij.

BUA ka 36 universitete nga Ballkani si anëtarë të saj.

Institucionet nga jashtë rajonit do të jenë në gjendje të mbajnë pozicione vëzhguesi.

Turqia do të mbajë sekretariatin e përhershëm të BUA-s, ndërsa Joruk do të shërbejë si presidenti i parë i zgjedhur i shoqatës për dy vitet e ardhshme. Presidenca do të jetë me rotacion dhe do t’i dorëzohet në vazhdim rektorit të Universitetit të Sofjes Shën Klimenti i Ohrit, profesor Ivan Ilçev.

Kryetar nderi i BUA-së do të jetë rektori i Universitetit grek të Janinës, profesor Triantafillos Albanis.

Shoqata do të zhvillojë takime vjetore, por do të ketë takime të vazhdueshme teknike ndërmjet studjuesve të degëve të ndryshme për të thelluar bashkëpunimin e tyre shkencor.

Ideja për një shoqatë universitare erdhi nga një iniciativë tjetër, Bashkimi Ballkanik i Bibliotekave, e cila u themelua më 2009, me pjesëmarrjen e 51 institucioneve në nëntë vende të ndryshme nga Ballkani, duke përfshirë Turqinë.

Bashkimi ka kontribuar në afrimin midis bibliotekave të gjithë rajonin duke botuar revista të rregullta akademike që mbulojnë teoritë, konceptet, filozofitë në shkencën e bibliotekës, e-botimin dhe dokumentacionin.

Duke folur për SES Türkiye, Joruk, tha se shoqata ka për qëllim të përmirësojë dialogun ndërkulturor përmes programeve të studentëve e të shkëmbimit të dijeve dhe kjo do të sigurojë një bazë të qëndrueshme për bashkëpunimin e ngushtë shkencor mes universiteteve turke dhe atyre të Ballkanit që kanë arritur standartet përkatëse të BE-së në akreditim.

“Ky do të jetë një shans për të kryer studime të përbashkëta shkencore, studime dhe vepra novatore, ndërsa një rrjet komunikimi mes akademikëve do t’u mundësojë atyre të shkëmbejnë njohuri dhe të përfitojnë nga një bashkëpunim i qëndrueshëm,” shtoi ai.

Nikolaos Tzifakis, ndihms/profesor në Departamentin e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Peloponezit në Greqi, tha se BUA është një nismë në kohën e duhur për të nxitur lidhjet rajonale dhe në mënyrë të veçantë për të krijuar kanale të komunikimit ndërmjet institucioneve të larta që zakonisht nuk kanë shumë mundësi përdorimi të dhurimeve konkurruese kërkimore të BE-së.

“Do të kontribuojë gjithashtu në transferimin e praktikave më të mira mes universiteteve partnere dhe kjo mund të ndihmojë procesin e nxitjes së pajtimit dhe bashkëpunimit në rajon. Më e rëndësishmja, është krijimi i një rrjeti në fusha të veçanta të shkencës që do të lehtësojë prodhimin e rezultateve të prekshme,” tha Tzifakis për SES Türkiye.

Sipas kryetarit të nderit të BUA, në mënyrë që BUA të bëhet më aktive dhe e efektshme, është e nevojshme të hidhen bazat për lidhjet e forta mes Universiteteve të Ballkanit, në bazë të mirëkuptimit të përbashkët dhe ideve, vlerave dhe përvojave të përbashkëta.

“Në thelb, duhet të përmirësojmë dialogun ndërkulturor midis vendeve tona. Duhet të formojmë bashkëpunim të fortë shkencor mes universiteteve anëtare, kryerjen e studimeve të përbashkëta shkencore dhe studimeve në mënyrë të rregulltë,” tha Albanis për SES Türkiye.

Albanis shtoi se historia e përbashkët dhe traditat e të gjithë Ballkanit janë lidhjet më të rëndësishme që lidhin universitetet.

Burak Jalim, administrator i projektit në Qendrën për Marrëdhënie të Zhvillimit me BiH në Sarajevë dhe një kandidat doktorature në Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës, që gjithashtu merr pjesë në shoqatë, është gjithashtu i entuziasmuar në lidhje me rezultatet e mundshme të këtij projekti për progresin shkencor dhe afrimin në rajon. Jalim tha për SES Türkiye se ka patur shumë bashkëpunimin midis Turqisë dhe vendeve të Ballkanit në disa raste.

“Shpresojmë se kjo do të sigurojë një mundësi për kuptim më të mirë në mesin e qarqeve akademike në Ballkan,” tha ai.

Sipas Jalimit, përveç ndarjes së të njëjtës gjeografi dhe më shumë ose më pak të njëjtën kulturë, universitetet në rajon nuk kanë kontribuar shumë në rrethet akademike botërore, që rezulton në keqkuptimin e popujve, kulturës dhe politikës ballkanike.

“Çfarëdo që do të donin të bënin në drejtim të bashkëpunimit, duhet të vënë afate dhe të sqarojnë planet e tyre afatshkurtër dhe afatgjatë. Përndryshe kjo nismë do të përfundojë pa ndonjë rezultat si përvojat e kaluara,” shtoi ai.