Ukrainë: Fitore e partive me orientim evropian

    0

    Partitë proevropiane kanë arritur fitore në zgjedhjet madhore parlamentare në Ukrainë, që u zhvilluan dje. Kjo tregon se ukrainasit shpresojnë se do të përmirësohet stabiliteti, pas një viti të trazirave dhe disa muajve të luftës kundër separatistëve perorusë në pjesën lindore.

    Rezultatet e pjesërishme të publikuara sot, tregojnë se Blloku i presidentit, Petro Poroshenko, dhe Fronti Popullor i kryeministrit, Arseniy Yatsenyuk, kanë fituar pothuajse numër të njejtë të votave, 21.6 dhe 21.7 % respektivisht.

    Këto janë rezultatet në bazë të 30% të fletëvotimeve të numëruara.

    Partia tjetër proevropiane, Vetëbesimi, është e treta me 10.8%.

    Mbrëmë vonë në fjalimin televiziv, presidenti Poroshenko tha se votuesit i kanë dhënë “mbështetje të fuqishme dhe të pakthyeshme rrugës së Ukrainës për në Evropë”.

    Sipas tij, bisedimet për koalicion do të fillojnë gjatë ditës së sotme dhe theksoi se Fronti Popullor është “partneri kryesor” për bllokun e tij politik.

    Katër partitë e tjera janë në rrugë e sipër për ta arritur kuotën për të hyrë në parlament, që i ka 450 vende deputetësh.

    Këtu përfshihet edhe Blloku Opozitar, në përbërje të të cilit janë shumë anëtarë të ish-Partisë së Rajoneve, të ish-presidentit të përmbysur, Viktor Yanukovich.