U mbajt promovimi i librave të dr. Jusuf Osmanit mbi krimet e Serbisë në Kosovë

0

Me fillim në orën 19.00, në bibliotekën e qytetit, u mbajt promovimi i dy librave të dr. Jusuf Osmanit, “Krimet e Serbisë në Kosovë 1998-1999” dhe “Krimet e Serbisë ndaj fëmijëve në Kosovë 1998-1999”.

Në fjalën e vet përshëndetëse, nikoqiri i kësaj ngjarjeje dhe drejtori i Qendrës për Kulturë Nail Draga, vlerësoi në mënyrë të posacme vlerën e këtyre dy botimeve në ruajtjen e të dhënave mbi krimet serbe gjatë luftës në Kosovë, si dhe në përcimin e këtyre të dhënave drejt opinionit botëror, me qëllim evitimin e lënies pas dore të krimeve ndaj popullatës shqiptare.

Pas Dragës fjalën e mori Bahri Brisku i cili shpalosi shkurtimisht biografinë e autorit, ku bie në sy fakti që dr. Jusuf Osmani ishte eksperti i parë në fushën e arkivistikës në Kosovë.

Në promovim foli edhe drejtori i Arkivës së Kosovës Ram Manaj, e cila është edhe botuese e këtyre dy veprave.

Autori, dr. Jusuf Osmani, i falenderoi të pranishmit për pjesmarrjen, dhe ndau me ta disa informata të cilat tregojnë mizorinë e ushtarëve dhe paramilitarëve serb ndaj shqiptarëve të Kosovës në kohën e luftës.

Sipas hulumtimeve të tija, numri i viktimave civile të Serbisë në Kosovë është afër 12.000, duke mos përfshirë këtu të zhdukurit, nga të cilët rreth 1300 janë fëmijë. 400 prej tyre bile ishin nën moshën 5 vjecare.

Nga të zhdukurit, drejtori i Arkivit Ram Manaj kishte edhe mjaft nga familja e vet e afërt. Ai në fjalën e tij emocionuese tha se është bërë një punë e mirë në drejtim të zbulimit të fatit të të zhdukurve, por se akoma kanë mbetur rreth 1700 raste që presin zgjidhje.

 

j.Osmani1