U mbajt panel diskutimi për antarsimin në NATO

0

Nën organizimin e OJQ-ve MogUl dhe Horizonti i Ri, sot u mbajt panel diskutimi në lidhje me antarsimin e Malit të Zi në Nato.

Paneli u mbajt me qëllim diskutimin me OJQ-të, gazetarët, përfaqsuesit e komunës dhe partive politike në lidhje me përparsitë e antarsimit në NATO.

Në fjalën e tij ambasadori slloven Mitja Mocnik, tha se është i bindur se Mali i Zi do ta marrë ftesë në dhjetor, cka do të sjellë edhe thellim të bashkëpunimit me Slloveninë.

Nënkryetari i URA-s Dritan Abazoviq, tha se vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme mund të zgjidhin cështjen nëse antarsia në NATO duhet të bëhet me referendum apo në Kuvend, pasi vetëm ato mund ta legjitimojnë Kuvendin për një vendim të tillë.

Drejtori ekzekutiv i ALFA Centar Aleksandar Dedoviq, tha se deri tani kampanja për antarsimin në NATO padrejtësisht i ka lënë pas dore viset ku jetojnë pakicat. Sipas tij, fakti që vendet fqinje janë antare të NATO-s nuk do të thotë se detyrimisht edhe pakicat kanë qëndrim afirmativ kundrejt kësaj aleance.

Sipas drejtorit ekzekutiv të OJQ MogUl, Xhemal Peroviq, në Mal të Zi shumë pak po i kushtohet vëmendje antikorrupsionit dhe shtetit ligjor, kurse po shpejtohet të hyhet në një sistem të organizuar si NATO.

“Është e domosdoshme që këto probleme të zgjidhen para antarsimit në NATO, do të thotë tani. Nëse problemet nuk zgjidhen atëherë Mali i Zi do të stagnojë dhe nuk do ti përfundojë reformat”, tha Peroviq.