Turpi i madh i Ulqinit

0

Fotot që shihni më poshtë nuk kanë shumë nevojë për koment. Nesë dikush mendon se bëhet fjalë për ndonjë ndërtesë në ndërtim e sipër në zonat e urbanizuara të qytetit, e ka gabim.

Ky grumbull betoni që ndodhet në këtë gjendje tash 5 vjet, gjendet në zonën që duhej të ishte më e mbrojtura nga dukuri të këtilla, në kala. Qyteti i vjetër legjendar i Ulqinit, i cili pretendon të hyjë nën mbrojtjen e UNESCO-s, eshtë objekt i ndërtimeve që kanë shfytyruar pamjen e tij shekullore. Dhe kjo mu para syve tanë.

Nuk është çudi që banorët e kalasë kanë paralajmëruar protestë për këtë rast, çudi është që nuk kanë protestuar kur është dhënë leja, kur kanë filluar ndërtimet, ose kur ato janë braktisur. Po pse duhet të protestojnë vetëm ata? Kjo ndërtesë e gjoja një investoreje ruse (këtë as fëmijët nuk e besojnë), është turpi i të gjithë neve. E sidomos turpi i atyre që e kanë lejuar të ndodhë, atyre që kanë dhënë lejen, i atyre që akoma nuk e kanë rrëzuar.

Drejtoria për mbrojtjen e të mirave kulturore nga Cetinja i bën thirrje investitorit që të përfundojë ndërtimin sipas planit të vitit 2002 i cili ka miratimin e konzervimit.

E derisa qytetet apo ndërtesat e vjetra dhe me vlerë historiko-kulturore në gjithë botën mundohen të ruhen në formë sa më origjinale, ne bëjme ndërtime të reja dhe bile u japim miratimin e konzervimit. Po të mos ishte tragjike do të ishte qesharake.

Dhe derisa Inspeksioni Republikan i Ndërtimit vrapon pas atyre që ndërtojnë shtëpi për tu strehuar, ky grumbull betoni që, sipas po këtij inspeksioni e ka tejkaluar madhësinë e paraparë me plan, nuk po preket fare.

Dhe nuk bëhet fjalë për një ndërtesë të rëndomtë në një vend të rëndomtë. Bëhet fjalë për degradimin dhe shpërfytyrimin e një prej simboleve të qytetit.

Dhe derisa ne kënaqemi me dramën e Servantesit dhe dashurinë tij për Dulçinenë, drama e vërtetë luhet mu midis nesh.

Por turpi ngjyrë nuk ka….

 

IMG_1280 IMG_1281-1