Tre projektet prioritare të Ulqinit: Plani hapsinor, rruga Ulqin-Krythë, kanalizimet

0

Dje, më 6 shtator, kryetari Cungu së bashku me bashkëpunëtorët e tij, priti në takim pune kryeministrin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. 

Në takim u diskutuan çeshtje të rëndësishme, të cilat do të ndikonin për një zhvillim më të vrullshëm të Ulqinit. Si tema më e diskutuar ishte ajo e miratimit të Planit hapësinoro-urbanistik, i cili, sipas Cungut,“krijon të gjitha mundësitë për realizimin e investimeve të reja, sidomos në fushën e turizmit”. Në lidhje me këtë çeshtje u shpreh edhe Kryeministri Gjukanoviq, i cili në konferencën për media tha se “parregullsitë në dokumentacionin urbanistik, shumë gjatë kanë limituar ritmin e zhvillimit të kësaj komune, dhe kjo jo vetëm në dëm të Ulqinit, por në dëm të Malit të Zi, sepse shumë mirë e dimë që një pjesë e mirë e potencialit zhvillimor të Malit të Zi është në këtë komunë.” 

Gjithashtu, në takim u diskutua realizimi i disa projekteve infrastrukturore si: ai i përfundimit të rrugës për në Krythë dhe projekti për furnizimin me ujë dhe rregullimin e sistemit të kanalizimit. 

Midis të tjerash, u prekën edhe tema të tjera ku vlenë të përmenden kthimi i pronave në Valdanos, mbrojtja e mjedisit jetësor si dhe mbështetja që Komuna e Ulqinit kërkon nga Ministria e Financave për konsolidimin e financave. 

Kryetari Cungu u nda i kënaqur nga takimi dhe pohoi që është optimist dhe shpreson që shumë çeshtje do të ecin me një ritëm më të shpejtë drejtë realizimit dhe do jenë në të mirë të të gjithë qytetarëve të Ulqinit.