Trafikimi i qenieve njerëzore ende problem në Ballkan

0

Fëmijët e kontrabanduar, përfshirë ata që përfundojnë në kanalet e prostitucionit në vendet e BE, janë ende një problem për Europën juglindore, sipas Komisionit Kombëtar për Luftimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore.

“Martesat e detyruara apo të ujdisura të të miturve me origjinë rome janë përherë të pranishme si rezultat i shpërdorimit të regjimit të vizave që prek numrin e viktimave në trafikimin e qenieve njerëzore. Viktimat e mitura femra midis moshave 13 në 17 vjeç janë shfrytëzuar, ato janë rekrutuar për qëllimin e futjes në martesë në vendet e BE,” sipas raportit të vitit 2013 nga Komisioni Kombëtar për Luftimin e Trafikimit të Qënieve Njerëzore.

“Fëmijët janë trafikuar për shfrytëzim seksual, por më shpesh për martesa të detyruara,” tha Mitar Durashkoviç, shef i Shërbimit të Policisë Kufitare të Serbisë. “Më të zakonshme janë rastet e trafikimit lokal brenda Serbisë. Tregtarët e fëmijëve janë prindërit dhe të afërmit e afërt. Ne vumë re raste ku fëmijët janë shitur në këmbim për pajisje të tilla si një televizor apo makinë larëse.”

Durashkoviç tha se me qëllim që të pengohen të tilla raste, është e rëndësishme të zbatohet bashkëpunimi i policive rajonale dhe bashkëpunimi me qendrat lokale për punë shoqërore.

Maqedonia ka harmonizuar plotësisht legjislacionin e saj të trafikimit me BE dhe dispozitat penale për të tilla akte janë përfshirë në kodin penal të vendit. Dënimi për bashkëjetesën me një të mitur në martesë është tre muaj deri në tre vjet burg.

OJQ-të që punojnë në këtë fushë thanë se është shumë e rëndësishme të përftohet informacion i përpiktë për rastet e trafikimit të të miturve për qëllime martese, pasi viktimat janë të fshehura mirë.

Kohët e fundit media në Itali vuri në dukje një rast të një vajze rome maqedonase që u shit në Itali për martesë. Ky rast pason atë të raportuar në 2013 të një vajze të mitur rome maqedonase shitur në Kroaci për martesë. Ajo u detyrua të futej në prostitucion. Në të dy rastet, vajzat u shitën për 3.000 euro secila. Të dyja vajzat ia dolën të shpëtojnë dhe të shkojnë në polici.

“Të dy rastet tregojnë faktin se kjo dukuri ngulmon më tej si një nga mënyrat e trafikimit të qenieve njerëzore. Nga momenti që streha Porta e Hapur u hap në 2005, 136 viktima janë përfshirë dhe identifikuar. Shumica e tyre janë shtetas maqedonas nën moshë,”. Maja Varoshlija nga OJQ Porta e Hapur që punon për parandalimin, mbrojtjen dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të viktimave potenciale dhe viktimave të trafikimit të qënieve njerëzore”.

Sipas organizatës, 14 nga 136 viktimat u trafikuan për martesa të rregulluara nën moshë.

Disa nga viktimat janë transferuar nëpërmjet kufirit në rrugë ligjore me dokumentet e duhura për udhëtim jashtë vendit. Të rejat zakonisht takojnë “burrat” e tyre nëpërmjet të afërmëve dhe miqve, ndonjëherë edhe nëpërmjet Skype dhe Facebook.

Më pas ata rregullojnë martesën dhe “miqtë dasmorë” vijnë në Maqedoni kur organizojnë një dasmë të vogël dhe udhëtimin. Është rregulluar që babai i nuses zakonisht merr para për të. Pasi lëshohen dokumentet e nevojshme, vajzat udhëtojnë në vendin e destinacionit.

“Kjo dukuri është më së shumti e pranishme midis popullsisë rome. Megjithatë, ne kemi gjithashtu dy raste ku vajzat u transferuan nëpërmjet kufijve, duke përdorur kalim ilegal kufiri,” tha Varoshlija.

Ajo tha gjithashtu se vendet në rajon bashkëpunojnë intensivisht me njëra tjetrën për të zgjidhur problemin dhe kanë organizuar projekte të përbashkëta, duke përdorur financimin e BE-së.

“Nëpërmjet projektit Ballkani Vepron Tani, shtatë OJQ punuan aktivisht në fushën e parandalimit të trafikimit në qënieve njerëzore. U bë trajnim për fëmijët në shkollat e ciklit të parë e të mesme, me qëllim që ata të njihen me rreziqet potenciale të trafikimit,” tha Varoshlija.

Të dhënat nga OJQ-ja Astra sugjerojnë se kur vjen puna te shitja e fëmijëve në Serbi, 70 përqind u shitën për prostitucion, 14 përqind për punë të shfrytëzuar, 7 përqind për lypje në rrugë, 6 përqind për martesa të detyruara dhe 1 përqind për qëllimin e birësimit ilegal.

Forumi Ndërkombëtar i Solidaritetit, EMMAUS, një OJQ e Bosnje dhe Hercegovinës (BiH), është pjesë e projektit Ballkani Vepron Tani dhe ka punuar për të frenuar trafikimin njerëzor për 14 vjet.

“Asistenca që ne ofrojmë i referohet punës me viktimat e trafikimit njerëzor të tilla si akomodimi, mbrojtja, edukimi i tyre dhe trajnimi i tyre për punë,” tha organizata.

Sipas OJQ-së, të miturit llogariten për 71 përqind të individëve që kërkuan strehë në strukturat e tyre në 2012.

trafikim1