Top-Channel: Shqiptarët kërkojnë ullishten që u mori shteti

0

Valdanosi është një zonë kodrinore bregdetare me një bukuri të rrallë natyrore e mbjellëë me rreth 18 mijë rrënjë ullinj qindravjeçarë që ndodhet rreth 2 kilometra në dalje të qytetit të Ulqinit në rrugën që e lidh me Tivarin.

Kjo ullishte kap një sipërfaqe mbi 100 hektarë tokë dhe historikisht ka qënë pronë e 204 familjeve shqiptare që jetojnë në Ulqin. Por në vitin 1978 kjo zonë u shtetëzua për nevoja ushtarake duke u dhënë disa pronarëve shuma të papërfillshme parashë.

Koha provoi se më shumë se përdorimi për nevoja ushtarake, shtetëzimi duket se ka patur vetëm një mision; shpronësimin e shqiptarëve, pasi prona nuk është përdorur asnjëherë nga ushtria. 

Katër dekada nga ky vendim i autoriteteve jugosllave në atë kohë, shqiptarët e Ulqinit kërkojnë rikthimin e pronave të tyre. Ata janë mbledhur mbrëmjen e së enjtes në një takim në ambientet e Komunës.

Kryetari i Komunës, Nazif Cungu shprehet se nuk ka asnjë kompromis dhe prona duhet t’u kthehet pronarëve. 

“Nga kontaktet e fundit me qeverinë malazeze na është thënë që pronarët mund ta marrin për shfrytëzim ullishten, por ne duam që ajo t’u njihet e tu kthehet si pronë pronarëve”, thotë ai.

Nisma ka edhe mbështetjen e deputetëve shqiptarë në parlamentin malazez.

“Përveç disa nismave ligjore që kemi marrë, kemi kërcënuar qeverinë malazeze me daljen nga koalicioni nëse kjo pronë nuk privatizohet nga pronarët e vërtetë të saj”, thotë deputeti, Genc Nimanbegu.

Ajo që ra në sy në këtë takim ishte dhe mbështetja e pronarve të Ulqinit nga kleriku ortodoks Mirodrag Todoroviç, i cili u shpreh se”prona është e shenjë nga Zoti dhe si e tillë i takon pronarit.

“Duhet që pronën ta gezojë vetëm pronari si shenjtërim nga Zoti dhe askush tjetër nuk mund ta gëzojë ose ta përdorë atë”, u shpreh kleriku.

Qytetarët e pronarët e Valdanosit që morën fjalën, u shprehen se do ndjekin çdo rrugë ligjore dhe nuk përjashtojnë as protestat deri sa prona e tyre t’u kthehet dhe zona në fjalë të mos rrezikohet që t’u shitet kompanive turistike.