Tifozllek shqiptarçe: Bileta në ballkon më shtrenjtë se në stadium

0

Mungesa e një stadiumi të madh ka bërë që shumë tifoza shqiptar të kombëtares të përballen me pamundsinë e ndjekjes së ndeshjeve eliminatore për Kampionatin Europian.

Kjo sidomos vlen për tifozat nga Kosova, të cilët janë të shumtë në numër por nuk kanë mundësi të sigurojnë mjaft bileta.

Sic ndodh rëndom, mendja e shqiptarit për të dalë nga situatat e vështira punon si sahat Zvicrre, dhe gjetja e një zgjidhjeje nuk u vonua. Kjo jo vetëm për kënaqësi të tifozave, por edhe të pronarëve të banesave përreth stadiumit “Elbasan Arena” në qytetin me të njëjtin emër.

Ata po u mundësojnë tifozëve kosovarë që ndeshjet t’i shikojnë nga ballkonet e banesave të tyre, ku hyrja kushton më shtrenjtë sesa në stadium – rreth 30 euro.

Një grup tifozash nga Kosova, janë ankuar për mediat shqiptare se shpesh janë pre e dallaverxhive vendas, të cilët ditën e ndeshjes i shesin biletat edhe 10 herë më shtrenjtë se cmimi normal, prandaj janë detyruar të gjejnë mënyra alternative për të ndjekur kombëtaren.

Duhet pranuar se ideja nuk është e keqe dhe se edhe cmimi është i arsyeshëm. Të paktën deri në ndeshjen me Serbinë, kur edhe apartamentet mund të shkojnë në 200-300 euro nata.