Tensione në Shkup, protesta të dhunshme para godinës së qeverisë (video)

0

Situatë e tensionuar ka mbizotëruar mbrëmjen e së martës para selisë së qeverisë në Shkup.

Mijëra protestues janë përleshur me forcat e shumta të policisë në momentin që kanë tentuar të hyjnë në ambientet e qeverisë së Maqedonisë.

Policia përdori forcën për të shpërndarë protestuesit që me orë të tëra po zhvillonin një protestë.
Ndërhyrja e forcave të rendit, vetëm i ka spostuar për disa metra qytetarët të cilët kanë vazhduar protestën duke bllokuar rrugët rreth godinës së qeverisë.

Raportohet se nga përleshja kanë mbetur të lënduar disa qytetarë dhe policë.

Protesta kundër qeverisë së Gruevskit nisi pasditen e së martës, menjëherë pasi opozita prezantoi disa dëshmi për vrasjen e të riut maqedonas Martin Neshkovski katër vite më parë në një tubim të partisë në pushtet VMRO-DPMNE.

Qytetarët e revoltuar e kanë goditur me sende të forta dhe me vezë godinën e qeverisë dhe përmes brohoritjeve kanë ftuar Gruevskin të tërhiqet nga pushteti.

“Po protestoj kundër gjithë këtyre padrejtësive që po i ndodhin Maqedonisë. Këto zhvillimet janë të rëndësishme për të gjithë qytetarët dhe mendoj se drejtësia duhet të fitojë”, shprehet një protestues.

“Populli duhet të hyjë brenda qeverisë, policia duhet të tërhiqet dhe që sonte duhet t’i vihet fundi këtij regjimi të Gruevskit”, thotë një tjetër.

“Mendoj se kjo që po ndodh sonte është vetëm një paralajmërim i vogël për atë që pason. Pritet të ndodhin gjëra më të mëdha”.

Lideri i partisë opozitare LSDM, Zoran Zaev, tha se bisedat e përgjuara telefonike të Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, dëshmojnë se vrasja e të riut maqedonas Martin Neshkovski, është fshehur nga policia dhe vetë kryeministri për shkak të përfshirjes së pjesëtarëve të sigurimit të Gruevskit në këtë rast.

Por,duke reaguar ndaj këtyre akuzave, ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska tha se lideri i opozitës, Zoran Zaev përmes disa materialeve të montuara po keqpërdor vdekjen e një të riu. Sipas saj, policia ka bërë gjithçka për gjetjen e autorit të vrasjes, i cili është dënuar me 14 vite burg.