Tekstet shkollore në Maqedoni me fyerje për shqiptarët

0

Edhe këtë vit shkollor nxënësit shqiptarë në Maqedoni do të mësojnë nga tekste shkollore me gabime të shumta si në përmbajtje, ashtu edhe ortografike. Gabimet më të theksuara janë në librat e historisë, gjeografisë, shoqërisë, artit, por edhe në tekste të tjera. Në librin e Gjeografisë gabimet vërehen që në kopertinën e librit, ku emri i lëndës është shkruar gabimisht. Edhe përkthimet e teksteve janë pa një strukturë të mirë gramatikore, ndërsa, janë të pranishme edhe shtrembërimet e ngjarjeve të rëndësishme historike. Në librin e historisë Shën Jan Kukuzeli, i cili në tekstet e historisë shqiptare njihet si një murg ortodoks nga Durrësi, himnograf, mjeshtër dhe teoricien i muzikës kishtare bizantine, tani ai përshkruhet si Jovan Kukuzeli, krijues i njohur i muzikës maqedonase.
Edhe shumë gabime të tjera, të evidentuara më parë, vazhdojnë të jenë të pranishme.
Nga Ministria e Arsimit përsërisin qëndrime të dëgjuara vite me radhë, për ndryshime ligjore me qëllim hartimin e teksteve të reja.
Profesori Salajdin Salihu thotë se gjendja është alarmante pasi duke parë gabimet e shumta drejtshkrimore dhe përmbajtësore, sipas tij, nuk mund të themi se kemi shkolla shqipe, por shkolla të përkthyera.
Gabime përmbajtjesore të cilat vazhdojnë prej vitesh me radhë, fatkeqësisht shpeshherë nuk kanë as autorët e përditësuar. Ata ose janë në pension ose kanë ndërruar jetë, ndërkohë që në këto libra mbajnë funksionet bashkëautor ose lektor.