Teatri “Migjeni” drejt mbylljes?

0

Teatri “Migjeni” në qytetin e Shkodrës jep sinjalin SOS, për shkak të amortizimit të të tij. Nëse nuk merren masa, ky teatër do të pushojë së ekzistuari. Drejtori i këtij institucioni, Edmond Agoni, përmes një letre të drejtuar kryebashkiakut të Shkodrës Lorenc Luka dhe ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, tregon se si teatri mund të bëhet burim aksidentesh, për shkak të amortizimit të lidhjeve elektrike. Sipas kësaj letre, teatri nuk përballon më asnjë shfaqje të vetme.

“Ndihet erë kauçuku të përcëlluar, të tejnxehur, të cilat janë vështirë të lokalizohen. Ju vëmë në dijeni se në gjithë raportimet verbale gjatë këtyre viteve dhe si pasojë e mungesës së investimeve për infrastrukturën e teatrit Migjeni, gjendja ka arritur në pikën e saj më kritike. Autotransformatorët, mikseri dhe automatët e ndriçimit të skenës janë jashtë çdo përdorimi, punohet jashtë çdo kushti teknik, gjë kjo e konfirmuar nga ekspertizat  e inxhinierëve austriakë para 2 vitesh me rastin e bërjes së fizibilitetit të teatrit. Për këtë arsye, ju vëmë në dijeni se situata nuk përballon më asnjë shfaqje të vetme dhe ndërhyrja duhet bërë urgjent pasi dëmet mund të jenë të pariparueshme dhe me pasoja”,- thuhet në letrën e nënshkruar nga drejtori i teatrit, përgjegjësi teknik dhe inspektori i skenës.

Edhe në buxhetin e Bashkisë Shkodër për 2015-ën nuk ka të parashikuar investime për teatrin e qytetit. Për gjendjen në këtë teatër ka rreth 15 vjet që flitet, por asnjëherë nuk është ndërhyrë. Mbyllja e tij do të ishte një lajm i keq për kryeqendrën e veriut, por edhe për kulturën shqiptare. Ndërkohë që nuk dihet ende cili do të jetë ragimi i institucioneve.