Të mësosh “nashke” për tre muaj

0

Ditët e fundit, skenën politiko-shoqërore të Ulqinit, e trazoi në një farë mënyre tentativa e drejtorit të Rivierës së Ulqinit që disa punëtorëve tu mësojë, dashje pa dashje, gjuhën e tij të nënës.

Nëse lëmë menjanë “patriotizmin” tonë romantik, që edhe ashtu nuk e kemi se po ta kishim Zeci nuk do ishte drejtor, nuk mund të themi se ai e ka plotësisht gabim.

Kuptohet që në një ndërmarrje hoteleriko-turistike, e cila vepron në një mjedis dygjuhësor, si puntorët ashtu edhe stafi drejtues ( përfshi drejtorin ), duhet ti njohin të paktën të dyja gjuhët, e mirë do të ishte edhe një të tretë.

Por drejtori këtu është “viktimë” e të njëjtit sistem që edhe vetë atë e solli drejtor të Rivierës, cka ishte si duket “shpërblim” për “ngritjen” e hotel “Crna Gora” ku ai ishte për shumë vite në krye.

Edhe ai, ashtu si punëtorët që u drejtohet, nuk flasin gjuhë të mjaftueshme për të punuar në Rivierën e Ulqinit.
Zeci kuptohet nuk ka ndërmend të mësojë as shqip as anglisht, por është shumë i zellshëm kur duhet të detyrojë tjerët të mësojnë “nashke”, cka tregon qartas se marrëveshja e mirë me klientët nuk është arsyeja kryesore e këtij veprimi.

Këtu mund të shtrohet edhe një pyetje tjetër.

Pa dashur të hyjmë në kualifikimet individuale të personelit, si është e mundur që në një ndërmarrje hotelerike të punësohen njerëz që nuk njohin as edhe një gjuhë të huaj? Përfshi këtu edhe atë malazeze.
Aq më flagrante është kur të tillë zgjidhen edhe drejtora bile.

Fatkeqsisht, Zeci dhe punëtorët janë në një kosh. Të dyja palët “vuajnë” pasojat e punësimeve partiake e nepotike, dhe si rezultat askush nuk merret vesh me njëri tjetrin deri në fushatën zgjedhore.
Atëherë të gjithë kuptohen për mrekulli.