Simpoziumi: Mbrojtje e Kalasë është përgjegjësi e të gjithëve

0

Simpoziumi Ndërkombëtar “Mbrojtja e qëndrueshme e kalasë historike “Kalaja”
                    Ulqin – Mali i Zi
            30 shtator – 2 tetor, 2016
                          DEKLARATË
Për mbrojtjen e qëndrueshme të qytetit të vjetër të Ulqinit- Kalaja
Duke iu referuar dispozitave të përcaktuara në dokumentat ndërkombëtar të trashëgimisë kulturore, veçanërisht Rekomandimit të UNESCO-s mbi Pejzazhin Historiko-Urban (2011), Konventës së UNESCO-s për Mbrojtjen dhe Promovimin e Diversitetit të të Shprehurit Kulturor (2005), Deklaratës Universale të UNESCOs mbi Diversitetin Kulturor (2001), Rekomandimit të UNESCO-s mbi Pjesëmarrjen e Njerëzve në Jetën Kulturore dhe Kontributin e tyre në të (1976), Rekomandimet e UNESCO-s në lidhje me Ruajtjen dhe Rolin Bashkëkohor të Zonave Historike (Nairobi 1976), Konventës së UNESCO-s mbi Mbrojtjen e Botës Kulturore dhe Trashëgimisë Natyrore (1972), Kartës Ndërkombëtare për Ruajtjen dhe Restaurimi i Monumenteve dhe Zonave Historike – Karta e Venedikut(1964), Konventës Strukturore mbi Vlerat e Trashëgimisë Kulturore për Shoqërinë (Konventa CoE Faro, 2005), Konventës Evropiane mbi Pejzazhet (2000), dhe Konventës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Arkitekturore të Evropës (Granada, 1985);
Duke pranuar teoritë dhe praktikat më të avancuara dhe më bashkohore për
ruajtjen e trashëgimisë kulturore, zonave urbane historike, lokaliteteve kulturore
dhe natyrës në forma të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe arkitekturën,
planifikimin dhe projektimin urban, ekonominë, sociologjinë, antropologjinë,
arkeologjinë, filozofinë dhe legjislacionin;
Duke pasur parasysh se qendra historike e Ulqinit, një qytet i fortifikuar dhe i
njohur si Kalaja, ka një trashëgimi unike nga e kaluara e gjatë, ai duhet të çmohet,
ruhet dhe mbrohet nga neglizhenca, dëmtimi dhe shkatërrimi, duke përfshirë këtu
edhe zhvillimin e pakontrolluar dhe pa mbikëqyrje, në mënyrë që kjo pasuri tu
kalojë gjeneratave të ardhshme si një dëshmi kohore e historisë së pasur;
Duke e ditur se Kalaja nuk është një monument i pandryshueshëm, por mund dhe
duhet të ruhet në mënyrë aktive dhe të zhvillohet me kujdes për të mirën e gjithë
komunitetit, në mënyrë që të shmangen konfliktet që rrjedhin nga pabarazia
ekonomike dhe të cilët mund të inicohen nga eksploatimi i dallimeve kulturore, e
që pastaj mund të ndikojnë negativisht në zhvillimin e qëndrueshëm përmes
shkatërrimit të trashëgimisë historike dhe kohezionit social;
Duke kontribuar në ruajtjen e trashëgimisë dhe diversitetit të Ulqinit, në mënyrë që
të mundësohet kalimi e tyre tek brezat e ardhshëm si një element integral i
zhvillimit të qëndrueshëm;
Duke qenë të vetëdijshëm se kuptimi i trashëgimisë rrjedh nga vlerat që janë të
ngulitura në të dhe tek njerëzit që e zotërojnë, përdorojnë, gëzojnë, mbrojnë dhe e
ruajnë;
Duke e kuptuar se zona urbane historike e Ulqinit është rezultat i një shtresëzimi
kompleks historik, i vlerave kulturore dhe cilësive natyrore që shtrihen përtej
kufijve të qytetit të vjetër të Kalasë, duke përfshirë këtu një kontekst më të gjërë
urban dhe natyror dhe vende me një rëndësi të madhe si Valdanosi apo Kriporja,
një nga ndalesat më të rëndësishme për shpendët shtegtarë, pastaj plazhet e gjata
me rërë, plazhet me burime të ujit sulfurik, zonat arkeologjike, hamamet, varri i
Sabatai Cevit, dhe shumë të tjera.
Ne, pjesëmarrësit e Simpoziumit Ndërkombëtar “Mbrojtja e Qëndrueshme e
Kalasë Historike – Kalaja” , Ulqin, 30 shtator-2 tetor 2016
Deklarojmë:
1. Qyteti i vjetër i Ulqinit – Kalaja është në rrezik për arsyet e mëposhtme:
a. Zhvillimit të papërshtatshëm, duke përfshirë edhe ndërtimet ilegale që ndikojnë
në origjinalitetin e vetive fizike, morfologjinë urbane, tipologjinë arkitekturore
lokale, funksionet ekonomiko- historike, materialet tradicionale , teknikat dhe
teknologjitë, si dhe veçoritë natyrore të elementeve vizuale të Kalasë.
b. Mungesa e planifikimit, mungesa e sistemit rregullator dhe menaxhimit
gjithëpërfshirës, duke përfshirë këtu edhe mungesën e komunikimit të duhur në
mes niveleve të ndryshëm të vendimarrjes dhe palëve të interesuara;
c. Nivelit të ulët të pjesëmarrjes së shoqërisë civile dhe aktorëve vendorë në
procesin e planifikimit dhe vendimarrjes;
d. Mungesës së mjeteve të duhura dhe politikave adekuate në nivel lokal, për të
garantuar ruajtjen e cilësive historike dhe valorizimin e lokaliteteve historike dhe
vlerave natyrore;
e. Mungesa e një qasjeje të integruar për ruajtjen e saj;
f. Mungesa e shembujve të mirë dhe e një sistemi edukativ për pronarët, zyrtarët
qeveritarë dhe ndërtuesit, në mënyrë që të njihen me pasojat afatgjata të
ndërtimeve të papërshtatshme.
2. Autoritetet shtetërore të Malit të Zi, autoritetet lokale të Ulqinit, pronarët e
ndërtesave në qytetin e vjetër, dhe banorët e Ulqinit, ndajnë përgjegjësi për
gjendjen e qytetit të vjetër dhe duhet të dialogojnë me qëllim që Kalaja të
ruhet në mënyrën e duhur.
NE I FTOJMË
Të gjithë të marrin pjesë urgjentisht në përgatitjen e një Plani të Veprimit, i cili do
të përcaktojë një sërë masash të koordinuara të cilat menjëherë do të ndalojnë
dëmet shkatërruese të qyteti historik, dhe të parandalojnë çdo ndryshim të
mëtejshëm të kësaj pasurie historike, duke sugjeruar përparësitë e mëposhtme:
a. Studim mbi shkallën e ruajtjes së mureve fortifikues dhe monumenteve
tradicional në peizazhin urban historik, duke u bazuar në studimet e publikuara më
parë;
b. Të hiqen ndërtimet shtesë të cilat varfërojnë pamjen, strukturën, dhe
funksionalitetin integral të Kalasë, dhe të cilat gjithashtu zvoglojnë potencialin e
përgjithshëm të zhvillimit ekonomik të saj;
c. Të identifikohen palët e interesuara për menaxhimin e qëndrueshëm të
Kalasë, duke pasur parasysh nevojat e tyre, kërkesat dhe gatishmërinë për të
kontribuar;
d. Të përgatitet dhe zbatohet një master plan mbrojtjeje për Kalanë dhe
peizazhin urban historik të Ulqinit;
e. Të përgatiten dhe aktivizohen mekanizma efikas për monitorim dhe kontrollim;
f. Të organizohen në nivel lokal iniciativa për zhvillimin e kapaciteteve ndërtimore
përmes trajnimit të autoriteteve lokale, profesionistëve, mjeshtrave, ndërtuesve dhe
pronarëve;
g. Të krijohen mundësi për shkëmbimin e praktikave të mira, në mënyrë që
autoritetet lokale, profesionistët, mjeshtrit, ndërtuesit dhe pronarët, të kenë
mundësi të mësojnë nga qendrat historike të ruajtura mirë në rajonet e përafërta;
h. Nëpërmjet një sërë aktivitetesh në hapsirat publike të ngrihet ndërgjegjësimi për
rëndësinë e Kalasë, mbi rrezikun e humbjes së saj, dhe nevoja e ndarjes së
përgjegjësisë së përbashkët midis të gjitha niveleve të shoqërisë
i. Hartimi dhe zbatimi i strategjive për valorizimin e zanateve tradicionale,
zakoneve dhe arteve me performancë popullore, duke e adoptuar qytetin e vjetër si
një skenar të privilegjuar.
j. Të planifikohet turizëm me fokus në trashëgiminë kulturore dhe turizëm kreativ,
të bazuar në kapacitetin turistik të Kalasë;
k. Zhvillimin e projekteve të bazuara në bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar,
duke përfshirë BE-në dhe fonde të tjera të parashikuara për një bashkëpunim të
tillë.
l. Promovimin e qasjeve dhe mjeteve të reja sic është crowdfunding, që
mund të stimulojnë një rol pro-aktiv të komunitetit.
m. Publikimin e udhëzuesëve me ilustrime për çdo ndryshim të ri në
strukturat historike ekzistuese dhe për çdo ndërtim të ri të mundshëm.
3. Fondacioni Kulturor Shqiptaro-Amerikan dhe ekspertët që bashkëpunojnë me të,
angazhohen për të punuar së bashku me autoritetet lokale dhe palët e interesuara në
përmirësimin e mbrojtjes integrale të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të qytetit
të vjetër të Ulqinit- Kalaja, dhe kontekstit më të gjerë urban të tij.
Kjo deklaratë ka për qëllim të inkurajojë reflektim të thellë në etikën dhe praktikat
aktuale të menaxhimit të trashëgimisë historiko-kulturore, në mënyrë që sfidat dhe
mundësitë me të cilat përballen gjeneratat, si tani ashtu edhe në të ardhmen, të
trajtohen sic duhet.
Mbështetur nga:
Fondacioni Kulturor Shqiptaro-Amerikan, New York
Kryetar Cafo Boga,
Komuna e Ulqinit
Kryetar Nazif Cungu
Ligjëruesit:
Acri, Marco: Kandidat për doktoraturë në Programin e Ruajtjes së Trashëgimisë,
koordinator i programeve ndërkombëtare ECTAH në Universitetin e Nova Goricës
dhe Universitetin IUAV të Venecies.
Bouchenaki, Mounir: Doktor i arkeologjisë, drejtor i Qendrës së Trashëgimisë
Botërore Kategoria II, Qendra Rajonale Arabe për Trashëgimi Botërore (ARC
WH); Ish-Drejtori i Përgjithshëm i ICCROM, dhe ish-Zëvendës Drejtori i
Përgjithshëm i UNESCO-s.
Bruce, David: Këshilltari Akademik i Qyteteve të Fortifikuara Evropiane, ish
ligjërues për turizëm në universitetin West of England në Bristol, me diploma
Master në Planifikimin e Qytetit, Ekonominë Politike dhe Historinë Moderne nga
Universitetet e St. Andrews dhe Edinburg.
Dajkovic, Aleksandar: Master në arkitekturë, drejtor i përgjithshëm, Drejtoria për
Trashëgiminë Kulturore, Ministria e Kulturës, Mali i Zi.
Demjaha, Bujar: Doktor i arkitekturës, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i
Arteve, Republika e Kosovës.
Eppich, Rand: Master në arkitekturë dhe konzervim, këshilltar për Trashëgiminë
Kulturore, Spanjë
Gianighian, Giorgio: Zëvendës-Drejtor (Konzervim-Restaurim) i Qendrës
Kërkimore Ndërkombëtare për Ruajtjen e Trashëgimisë Arkitektonike –
IRCAHC – në Departamentin e Arkitekturës të Shkollës së Arkitekturës Detare,
Inxhinjerisë Civile dhe të Oqeaneve (NAOC) në Universitetin Jiao-tong të
Shangajit(SJTU), R.P. e Kinës.
Hadzimuhamedovic, Amra: Doktoraturë në arkitekturë, Universiteti
Ndërkombëtar i Sarajevës; Drejtoreshë e Qendrës për Trashëgimi Kulturore –
Forumi Ndërkombëtar i Bosnjes; ish-Komisionere për Ruajten e Monumenteve
Kombëtare në Bosnjë dhe Hercegovinë, anëtare e Komitetit Ndërkombëtar
Shkencor për Teorinë dhe Filozofinë e Konzervimit.
Hoxha, Gjejlane: Master në Arkitekturë dhe Konzervim, Universiteti i Dardanisë
Prishtinë, Shefe e Këshillit të Kosovës për Trashëgiminë Kulturore.
Ibrahimgil, Mehmet: Profesor në Universitetin Gazi në Ankara, Turqi
Jokilehto, Jukka: Doktoraturë në Historinë e Konzervimit Arkitektonik, Emeritus
Prof. i Qendrës Ndërkombëtare për Studimin e Konzervimit dhe Restaurimit të
Pasurive Kulturore (ICCROM), Romë, Itali; Këshilltar Special i Drejtorit të
Përgjithshëm të ICCROM, Profesor i jashtëzakonshëm në Universitetin e Nova
Gorica, Slloveni.
Jäger-Klein, Caroline: Profesoreshë në Universitetin e Teknologjisë në Vjenë
dhe anëtare e ICOMOS-it Kombëtar të Austrisë, profesoreshë e Historisë së
Arkitekturës dhe Trashëgiminë Arkitektonike në Universitetin për Biznes dhe
Teknologji në Prishtinë, Kosovë.
Kapetanovic, Aleksandra: Arkitekte dhe Konzervatore, Koordinatore e sektorit
për trashëgiminë kulturore të OJQ-EXPEDITIO, Qendra për Zhvillimin
Qëndrueshëm Hapsinor, Kotor, Mali i Zi
Lafe, Ols: Kandidat për doktoraturë në arkeologji, Universiteti i Tiranës,
Këshilltar për trashëgiminë kulturore, Presidenca e Shqipërisë
Lama, Ulpiana: Drejtoreshë e Departamentit për bashkëpunim me orgnizatat
ndërkombëtare, Ministria e punëve të jashtme, Republika e Kosovës
Lepratti, Christiano: Profesor për dizajn arkitektonik dhe urban, Universiteti i
Gjenovës (Itali), ish anëtar i Unionit Ndërkombëtar të Arkitektëve, Drejtor i
Programit të punës “Arkitektura për një të ardhme të përgjegjëshme “, Evropa
Perendimore.
Mata, Martin: Bashk-drejtor ekzekutiv i Fondacionit Zhvillimor Shqiptaro-
Amerikan dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan për Sipërmarrje.
Mouton, Benjamin: Arkitekt dhe Konzervator, Shef i Monumenteve Historike,
Paris, Francë.
Ost, Christian: Profesor dhe ish dekan në Shkollën ICHEC për Menaxhim në
Bruksel, Qendra Konzervuese Ndërkombëtare Raymond Lemaire, KU Leuven,
Belgjikë.
Phelps, Dana: Kandidate për doktoraturë në Antropologji në Universitetin
Stanford, Stanford, Kaliforni, SHBA.
Roshi, Elenita: Ekonomiste, Universiteti i Tiranës, Fakulteti Ekonomik, Shqipëri.
Rypkema, Donovan: Ekonomist i trashëgimisë kulturore, President i Heritage
Strategies International,Vashington, DC.
Sabovic, Igbala: Arkitekte, Fondacioni për Monumentet dhe Zonat historike të
Malit të Zi – “ELArt”M, Mali i Zi.
Simatovic, Biserka: Këshilltare e lartë, Dubrovnik, Departamenti i Sipërmarrjes,
Turizmi dhe deti, Republika e Kroacisë.
Vlahovic, Dobrila: Këshilltare në Drejtorinë për Trashëgiminë Kulturore të
Ministrisë së Kulturës, Mali i Zi.
Zeren, Gulersoy Nuran: Doktoraturë në arkitekturë, Univrsiteti Teknik i
Stambollit, Fakulteti i Arkitekturës, Departamenti për Planifikim Urban dhe
Rajonal, Stamboll, Turqi.