Shtajnaker: Kriporja sa më shpejt të shpallet zonë e mbrojtur

0

Sot me fillim në ora 11.00 në sallën e madhe të Komunës së Ulqinit, filloi shqyrtimi publik në lidhje me draftin e propozuar për shpalljen e Kripores si monument të natyrës.

Drejtori i Qendrës për monitorimin e zogjve Darko Saveliq, njëkohësisht edhe njëri nga punuesit e draftit, në fjalën e vet tha se të interesuarit mund të dërgojnë vërejtjet e tyre në adresë të komunës në lidhje me draftin e propozuar, i cili parasheh mbrojtjen totale të Kripores , dhe me këtë edhe ndalimin e gjuetisë.

Fakti që drafti parashikon ndalimin e gjuetisë në të gjithë territorin e Kripores, ngjalli edhe reagimin e gjuetarëve. Përfaqësuesi i tyre Mehmet Zenka tha se vërejtje e tyre nuk janë marre fare parasysh në realizimin e draftit, duke anashkaluar në këtë mënyrë një pjesë të qytetarëve të Ulqinit.

Pas fjalimit të z. Zenka, qytetarët të revoltuar u larguan nga salla në mënyrë demonstrative, duke treguar haptas mospërkrahjen e tyre për draftin në fjalë.

Pas kësaj fjalën e mori ambasadorja e Gjermanisë Gudrun Shtajnaker e cila në mënyrë të detajuar qartësoi arsyet e nevojës së mbrotjes së Kripores nga devastimi i mëtejshëm, angazhimin e vazhueshëm të Gjermanisë në këtë proces dhe rëndësinë e Kripores për zhvillimin e turizmit.

Shtajnaker ishte kategorike në deklaratat e saja se mbrojtja e Kripores dhe hyrja e saj si pjesë e Konventës së Ramsarit nuk përputhet e lejimin e gjuetisë.

Ajo në fund kërkoi që të mbështetet Komuna e Ulqinit në tentativat e veta që Kriporja të shpallet monument i natyrës si dhe premtoi angazhimin e saj personal që ajo të jetë pjesë e Konventës së Ramsarit, dhe në këtë mënyrë të ruhet njëra prej zonave më të rëndësishme në Europë për sa i përket florës dhe faunës.