Shqiptarët festojnë, URA dhe serbët kontestojnë

0

Nësër komuna e Ulqinit  feston ditën e saj. E shtuna e parë e prillit tradicionalisht simbolizon përfundimin e vjeljes së ullinjve, daljen e anijeve në det dhe fillimin e sezonit turistik.

Përveç ceremonive të zakonshme dhe festimeve që organizohen çdo vit, sivjet kemi edhe një arsye më shumë për festë.

Në ceremoninë solemne, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe zv. kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, do të shpallen qytetarë nderi të Ulqinit.

Edi Rama erdhi në pushtet dy vjet më parë si njëri nga kryebashkiakët më të suksesshëm të Tiranës, duke marrë merita për transformimin e saj në një metropolë ballkanike. Në vitin 2004 ai u shpall edhe kryebashkiaku i vitit në botë.

Nga ana tjetër, Hashim Thaçi njihet si lideri luftarak i shqiptarëve të Kosovës, pjesmarrës dhe nënshkrues i marrëveshjes së Rambujesë, si dhe kryeministër i vendit në dy mandate. Ai në janar vizitoi për herë të parë edhe Ulqinin.

Të dyja këto figura politike janë bashkëbisedues në të gjitha qarqet diplomatike, jo vetëm europiane por edhe botërore.

Prandaj shpallja e tyre qytetarë nderi të Ulqinit, nga kryetari aktual Fatmir Gjeka, ka hasur në përkrahje nga partitë politike shqiptare por dhe opinioni popullor.

Por jo në të njëjtën mënyrë kanë reaguar të gjitha partitë. Ato serbe, por edhe disa “qytetare” si URA e Dritan Abazoviqit, janë shprehur kundër kësaj iniciative.

Por derisa arsyetimet e tyre vazhdojnë, ne shqiptarët nesër do të festojmë.