Shqipëria samit për diasporën, Rama: Të promovojmë bashkë vendin

0

Diaspora shqiptare “zbret” në Tiranë në nëntor të këtij vitinë një samit të parë të këtij lloji që do mbahet në vendin tonë. Nën kujdesin e Qeverisë shqiptare, në datat 18-20 nëntor të gjithë të interesuarit janë të ftuar që të marrin pjesë në Samitin e Parë të Diasporës Shqiptare, duke kontribuar me sugjerimet apo idetë e tij për
çështje të ndryshme. Nëpërmjet një videomesazhi, kryeministri Rama fton të gjithë bashkatdhetarët që të bëhen pjesë e diskutimeve për forcimin identitetit kombëtar dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
“Kushdo që është i interesuar për këtë aktivitet shumë të veçantë, mund të informohet përmes faqes online www.samitidiaspores.al, ku edhe mund të kontribuojë me sugjerimet e veta apo të regjistrohet për të marrë pjesë”, thuhet në njoftimin e KM. Në videomesazhin drejtuar shqiptarëve të diasporës, kryeministri Rama shprehet:
“Të dashur bashkatdhetarë kudo ku jeni, kam kënaqësinë dhe nderin e posaçëm t’u ftoj të bëheni pjesë e Samitit të parë të diasporës shqiptare që do të mbahet në Tiranë nga data 18 deri në 20 nëntor të këtij viti. Ky takim historik në shkallë mbarëkombëtare besoj do të jetë një sprovë që do të na ndihmojë të diskutojmë dhe të gjejmë të gjithë bashkë rrugët dhe mënyrat sesi mund të vihemi më mirë në shërbim të gjithçkaje që na bashkon dhe ndajmë me njëri-tjetrin, për të ruajtur dhe forcuar identitetin tonë kombëtar, për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë tonë të pasur, e gjithçka tjetër që na bën krenarë që jemi shqiptarë. Mirë se të vini në Tiranë në nëntor për këtë sprovë të parë në këtë samit të parë të diasporës shqiptare”.