Shkon në 10 numri i viktimave në traget. 38 pasagjerë të humbur (video)

0

Sic njofton televizioni Top-Channel, numri i viktimave që humbën jetën në tragetin e marrë flakë në brigjet greke, ka shkuar në 10 dhe se evakuimi i të gjithë personave të tjerë në bord tashmë ka përfunduar.Asnjë nga viktimat nuk është shtetas shqiptar.

Edhe kapiteni Argilio Giacomazzi,i cili ka pritur deri në largimin e pasagjerit të fundit, ka braktisur më pas tragetin me efektivët e marinës ushtarake italiane.

Por ndërkohë një lajm negativ ka ardhur nga mediat greke, të cilat flasin për 38 pasagjerë të tjerë të humbur e që sipas tyre nuk janë gjetur nga skuadrat e shpëtimit.

Zjarri mësohet të ketë shpërthyer mëngjesin e së djelës në pjesën e tragetit, ku mbaheshin automjetet. “Norman Atlantic” udhëtonte nga Patra e Greqisë drejt Ankonës në Itali. Shumica e pasagjerëve ishin grekë dhe turq, por në mesin e tyre ka pasur edhe 33 shqiptarë, 11 nga të cilët me dyshtetësi.

Rreth 100 vetë u shpëtuan prej andej gjatë natës, në kushte tepër të vështira, thonë rojet bregdetare italiane. Ekipet e shpëtimit, që me shumë zor i kanë larguar pasagjerët me helikopterë në mes të errësirës dhe shkulmeve të erës, ishin të pajisura me aparate për të parë natën.

Mësohet se shumica e pasagjerëve të nxjerrë prej tragetit janë transferuar në anije të tjera pranë tij, ndërsa ata në gjendje më të rëndë shëndetësore janë dërguar menjëherë në spital.

Në mesin e atyre që po trajtohen për hipotermi janë edhe tre fëmijë dhe një grua shtatëzënë. Anija e parë me 49 pasagjerë të shpëtuar mbërriti në portin e Barit mëngjesin e së hënës. Nuk dihet ende me siguri se çfarë e shkaktoi zjarrin.

Prokuroria e Barit ka nisur një proces hetimor mbi ngjarjen, me dyshimet e para që sugjerojnë se mund të bëhet fjalë për gabim njerëzor.

Ndërkohë, nuk dihet ende se ku do të përfundojë trageti, që pas dëmeve materiale dhe evakuimit ka mbetur në mes të detit. Mësohet se pala greke ka kërkuar që objekti të rimorkiohet në Pasha Liman.