Sezoni turistik: Fillimi duket i mirë, fundit i tremben të gjithë

0

Dhe pse OT e Ulqinit nuk ka publikuar të dhëna zyrtare në lidhje me numrin e turistëve në qytetin tonë, parasezoni duket se ka filluar pak më mirë se vitet e kaluara. Duke iu falenderuar festave dhe temperaturave rekord për pjesën e parë të vitit 2015, pushuesit kryesisht nga rajoni e kanë shfrytëzuar Ulqinin për ndonjë weekend clodhës ose si vend ku ndalohen gjatë rrugës për vendet e tjera.

Këto ditë jo rrallë mund të ndëgjohen gjuhë të huaja nëpër lokale dhe restorane vendas, edhe pse ky lloj turizmi, ku mysafirët më tepër kalojnë nëpër qytet sesa e vizitojnë atë, nuk duhet të jetë qëllimi ynë. Prapseprap, cdo vizitë dhe mysafir është një reklamë me vlerë në tregun gjithnjë e më të tkurrur të sektorit turistik.

Megjithë përshtypjet optimiste që duket se kanë filluar të ndihen në qytet, suksesi i sezonit kryesor akoma mabetet terren i panjohur. Nëse e kemi fatin e mirë dhe kushtet atmosferike janë të favorshme, si dhe duke u nisur nga fakti që Ulqini ka cmime konkuruese, atëhrë një sezon solid është më se i pritshëm.

Riviera e Ulqinit, sipas deklaratave të drejtorit të saj, sivjet ka pasur rritje në parasezon në krahasim me vitin e kaluar, por kjo më tepër erdhi se rezultat i cmimeve promovuese dhe eskursioneve nga Shqipëria. A do të vazhdojë një trend i tillë gjatë sezonit të rregullt është vështirë të thuhet.

Çmimet e fjetjes, që në Ulqin janë më të ultit në rajon, mund edhe sivjet të bëjnë diferencën në favorin tonë. Kjo edhe për faktin e krizës ekonomike gjithnjë e më të rënduar në Kosovë, Maqedoni e Bosnje. Por kjo krizë, e cila po manifestohet me largime masovike drejt vendeve europiane dhe e ndihmuar edhe nga kriza politike, mund të jenë edhe shkaktar të një sezoni tejet problematik për Ulqinin.

Edhe pse ne kënaqemi dhe ndihemi krenar kur shohim gjermanë, rus apo francezë që vizitojnë qytetin tonë, ndikimi i tyre në të ardhurat nga turizmi është tejet i vogël, dhe mund të konsiderohet më tepër si reklamë sesa turizëm tipik.

Duam apo nuk duam, ekonomia e Ulqinit varet nga mysafirët nga rajoni, dhe promovimi turistik duhej të ishte më i koncentruar në këto vende, pa harruar kuptohet edhe tregjet strategjike për të ardhmen.

Sidoqoftë, tashmë vera po ofron dhe ne nuk na mbetet tjetër vec të shpresojmë se edhe fundi do të përngjasë sadopak me fillimin. Përndryshe, autobusët e mbushur me udhtarë drejt vendeve europiane, nuk do të jenë më vetëm pamje nga veriu i Malit të Zi.