S. Misherri: Bego Baboti

0

BEGO BABOTI  nga Sami Misherri

Bego Baboti ka qenë detar ulqinak.

Sat nuk ka asnji dokument historik i kohnave të vjetra në të cilat mundet të gjindet emni i tij, përpos në librin e Dino Franetoviq – Bure: “Istorija pomorstva i ribarstva Crne Gore” ku, në mesë të emnave të detarëve ulqinakë, të familjeve Kapidani, Shurdha, Shapalaku, Rejzi, Karaminxhoja, Gjyli, Beci, Bilali dhe të tjerë, përmend edhe detarët e familjes Baboti: Selmanin, Aliun, Sulejmanin dhe Bego Babotin, nga çka mund të konstatohet se: Bego Baboti ka jetu në fundvitin e shekullit 18.

Sat në Ulqin nuk jeton asnji person i familjes Baboti.

Par, në popull dhe në kujtesë, githnji jeton emni dhe legjenda e këtij detari.

Deri në vitin 1971, kur ishtë ndërtu rruga për Ranë, gjithnji ka egzistu vorri i Bego Babotit.

Aty nënë mur të rrugës, që ka vijue për Ranë, ku sat gjindet pllaka e betonueme mbi Prronin e Ranës, ka qenë vorri i Bego Babotit.

Vizavi vorrit përmbi rrugë ka qenë Kroni i Haxhi Dutit, cili kru gjithashtu ishtë prishë me ndërtimin e kësaj rruge.

Me të njejtin rast ishtë prishë edhe Kroni i Pashës, që gjindej përtej Xhamisë, ke udhëkryqi që vijon për Kala.

Kroni i Haxhi Dautit ka qenë i vendosun në anën e djadhtë të rrugës që shkonë për Ranë, ke udhkryqi ku kthen rruga për lagjen Meteriz aty ke shtëpija e Familjes Mollazeqiri.

Ka qenë kru shumë i bukur, i mbulumun me tjegulla, si kru publik për kalimtarë dhe  për banorët e lagjes ku ka qenë i vendosun.

Nën mur të kësaj rruge ka qenë bahçja e mbjellun me fiq, pronë e familjes Dervishi dhe Basha dhe fare për anë, menjiherë nën këtë mur, i vetmum ka qenë vorri i Bego Babotit.

Ka qenë i ndërtumun me gurë të gdhendun dhe me nishane të shkruame në gjuhë turke, me alfabetin arab dhe, i stolisun edhe me yllin e Hazreti Sulejmanit, me gjashtë rrema, që në Ulqin e thrasin Mëhyri Sulejman.

Për fat të keq, sat nuk egziston as Kroni i Haxhi Dautit e Kroni i Pashës, e as vorri i Bego Babotit dhe, për shkak të moskujdesit njerzor, sat nuk dihet a egziston qoft edhe nji fotografi i këtyne monumenteve të vjetra të qytetit tonë, që janë thesar të kulturës urbane, e për të cilin na, për fat të keq, nuk kemi kallxu asnji kujdes.

-Amaneti ke zygyrrti s’ka çka ban, – thotë nji fjalë e vjetër ulqinake.

Hyqëmtart e kohës, për këto amanete jo vetëm që nuk kanë kallxu interesim, par janë sjellë sikurse historia e këti vendi fillon nga vet ato dhe për këtë arsy pjesa e madhe e monumenteve janë zhdukë ose janë devastu. Veç kronjet në ullishtë të Ulqinit kanë mbijetu, par edhe në këto janë ba ndërrime e devastime.

Gjyshi jem, Zejnel begu, më ka kallxu se, në Kronin e Bashbylykut, në pllakë të gurit, ka qenë e shkrume:

Sahibir hajrat Osmanag Manola, tahmin Hasan Lazoja (Hajrati nga Osmanag Manola, ndërtoi Hasan Lazoja). 

Në Kronin e Bashbylykut ky gur i shkrumun nuk ekziston ma.

Pra, Ulqini ka pasë shumë marinarë dhe kapidana anijesh, emnat e të cilëve, përpos familjeve që i përkasin, pothuajse janë harru krejtësisht. Par, emni i Bego Babotit nuk ishtë harru dhe përmendet edhe pse sat nuk jeton asnji person i kësaj familje.

Edhe sat, në biseda, ulqinakët kur dojnë me iu kundërvu bashkëbiseduesit, për ndonji veprim të pamujtun, për të cilin nevojitet forcë e madhe fizike, thojnë:

-Nuk mundesh me e ba atë që mendon, veç në qoftë se ke kivetin e Bego Babotit! Pra, edhe sat në Ulqin, për nji veprim ku duhet fuqi e madhe fizike, përmendet Bego Baboti, si sinonim i forcës së madhe, pothuejse mistike, që nuk e ka asnji njeri i rëndomt, sado i shkathtë e i fortë që ishtë.

Në kohën kur jeonte Bego Baboti dhe deri më sot, ka metë e pa qartë aftësija dhe forca fizike e këtij marinari, që mbet legjendë për këtë veti me fuqi të jashtëzakonshme.

Për këtë arsye, mbasi nuk ishte e shpjegueshme forca e tij, në Ulqin ishtë marrë. pothuejse si i vërtetë, tregimi se, Bego Babotit forcën ja kanë dhanë shtojzavallet.

Ulqinakët e vjetër dhe legenda thojnë se, Bego Baboti, në moshën e fëminisë dhe deri në rini nuk ka qenë i fortë. Përkundrazi, ka qenë shumë i dobët fizikisht, bile ma i dobët se xhdo fëmi i asaj kohe dhe, për shkak të mosguximit dhe dobësisë fizike, fëmijtë tjerë luejshin dhe e keqtrajtojshin Begon.

Thojnë se, kur iu vejshin fëmijtë përmas, e gjuejshin me guraleca dhe me sende të ndryshme, tuj i thanë fjelë fyese, për karakterin dhe dobësinë fizike, edhe pse fizikisht nuk kishte asnji të metë, as nga natyra e as nga ndonji lëndim.

Të gjithë qesheshin dhe Begoja pa asnji fjalë u largonte dhe duronte shamjet dhe keqtrajtimet e të gjithë fëmijëve.

Veç ndonji i rritun, që qillonte rastësisht, e mbronte nga fëmijët shejtana, siç thirren në Ulqin fëmijët e gjallë e temperament.

Siç thotë legjenda, nji ditë në mëngjes pa zbardhë mirë dita, Begoja shkoi në Ullishtë me kërku gamarin, që prej kullote s’kishte arrdhë në shtëpi.

U nis rrugës për Ullishtë dhe, xhan–xhind, si thojnë ulqinakët, nuk takoi asnji njeri. Por, kur mbërriti ke Kroni i Zanave, aty takoi dy shtojzavalle, që ishin ngatrru flokësh njina me tjetrën dhe nuk mundeshin të xhgatrrohen edhe pse, siç dukej, tanë natën ishin përpjekë për me u nda nga ngatrrimi i flokëve të gjata që kishte xhdo njena, deri gati në fund të kamve.

Begoja u befasu kur i pa shtojzavallet dhe, deshtë të kthehej mrapa menjiherë par, njena nga shtojzavallet iu kërcënu dhe i tha:

-Ndalu, o birë i njeriut, e na ndihmo të xhgatrrojmë këto flokë, që na u ngatrrun e s’po na lajnë të ikim para se të këndojnë gjelat e agimit.

-Kena me të dhanë fuqinë tonë, në qoftë se na xhgatrron e nuk e këput asnji qyme floku, se për ndryshe, kene me ta marrë jetën në vend.

Begoja u frigu për dekë, u nalë dhe, me kujdes filloi të zhgatrrojë flokët, qyme për qyme, e me ngadalë, që rastësisht mas të këpusë qoftë edhe nji pjesë qymje të flokëve të shtojzavalleve.

Fare në fund, kur Begoja mendoi se ia arriti qëllimit dhe flokët e shtojzavalleve i zhgatrroi pa këputë asnji qyme floku, pa dashje i mbet në dorë nji maje e vogël qymje floku.

Këtë qyme floku Begoja me shpejtësi e futi në gojë, para se e vunë re shtojzavallet. Shtojzavallet u liruan krejtësisht nga flokët e ngatrrueme.  Krefshin flokët e vet të zezë, gati deri në fund të kambëve.

Kur Begoja mendoi se çdo gja përfundoi në rregull, njena prej shtojzavalleve i tha:

-Bego, hape gojën! Begoja e hapi gojën dhe shtojzavallja, me gisht, nënë gjuhë të Begos, ia nxorri qymen e flokut dhe mandej iu drejtu Begos me fjalë:

-Kjo qyme floku të meti në dorë. Maje e bane harmali. Tesh e këndej ke me pasë fuqinë tonë. Begoja i befasuem me gjysën e zanit foli:

-Gjithkush e di se unë s’kam asnjifarë guximit dhe se jam shumë i dobët fizikisht.

– Provo të ngritësh gurin pranë kronit! – i tha njena nga shtojzavallet.

Guri pranë kronit ishte aq i madh sa se çojshin as disa burra, par Begoja, porsa ia vuni duert për ngritje, e çoi si me çu nji gur murit.

Shtojzavallet në atë moment u xhdukën e Begoja u kthy për në shtëpi. Rrugës, fëmijët siç e kishin ba zakon, filluan ta ngacmojnë Begon.

Par, kësaj radhe Begoja u ndal dhe më shpejtisin e vetimës e grabiti nji fëmijë dhe si me ngritë nji gjeth të thatë, e vuni në nji mur të naltë të nji shpije përdhese, që ishte pranë rrugës, pa e lëndu fare fëminë.

Prej asaj dite, kurrë ma kërkush nuk e ka gërga Begon.

Legjenda thotë se, gurin e madh, ke Kroni i Haxhi Dautit, e ka pru vet Bego Baboti nga Ullishta e Ulqinit.

Gjatë jetës së tij askush s’ka mujtë me dalë në dyluftim për mundje me Bego Babotin.

Flitet se, njiherë nga Shkodra, ka ardhë nji Harap me rrëxu me Begon. Harapi dhe Begoja janë taku në Ranë.

Rrximi shpejt u kry në favor të Begos.

Harapi atëherë e thirri Begon me da mejdan edhe me shpata.

Dyluftimin e vrejshin shumë ulqinakë, por edhe vetë motra e Begos.

Gjatë dyluftimit Begoja e qëlloi Harapin në brez, por ai ishte i mbrojtun me mbështjellës hekuri dhe, prej fuqisë, shpata e Begos u përkulë si drapni.

Thojnë se Begoja me dorë e me lehtësi e drejtoi prapë shpatën.

Kur e pa këtë ngjarje, motra e Begos iu drejtu me sa za që kishte:

-Bego vlla, a ke pre bar ndonjiherë? Atëherë Begoja i ra Harapit  nën brez dhe e rrëxoi për tokë e dulë fitues. Kja legjendë fletë për forcën e madhe fizike të nji detari ulqinak, por Bego Baboti nuk ka qenë i vetmi ulqinak që mbeti i paharruem për kët veti.