Rrezart Cungu: Tenisti i ri i gatshëm të shkëlqejë

0

“Unë stërvitem dhe kur të gjithë janë në gjumë, për mua nuk ka pushime e as pushim, stërvitem dhe kur jam i sëmurë dhe kur dikush vdes apo lind, ose kur ka ndonjë martesë. Kam besim të patundur, uria për fitore është gjithnjë edhe më e madhe. Duhet të jem më i miri edhe atëherë kur mezi mund të marrë frymë dhe nuk kam fuqi!”

 

Këto citate në mënyrën më të mirë pasqyrojnë jetën e një tenisti të ri nga Ulqini, yllit të ri të tenisit botëror, që me hapa të mëdhej po ec drejt arritjes së qëllimeve të tij.

Rrezart Cungu, kampion i Malit të Zi deri në 16 vjeç, fitues i turneve të mëdha, veçanërisht i turneut të famshëm në Avignon i cili në vitin 2002 u fitua edhe nga Novak Gjokoviq, është anëtar i TK “Bellevue”, i cili është shpallur edhe klubi më i mirë në Mal të Zi.

Qetësia e tij në momentet vendimtare magjeps shumë profesionistë tenisi, por kjo është karakteristikë vetëm e mjeshtrave të mëdhenj të lojës. Për shkak të pamundësisë për të gjetur partnerin e duhur mësimi, shpesh është detyruar të qëndroja në Stobrec pranë Splitit, ku u vu re nga trajneri aktual Zoran Ivanisevic. Ai tashmë ka vendosur objektiva të qarta për sezonin që e pret, dhe ndoshta dëshira më e madhe është titulli në qytetin e tij të Ulqinit, që do ju kushtojë bashkëqytetarëve të tij.

 

Si filloi e gjithë kjo dhe pse keni vendosur që të shkoni për tenis?

– Në sport jam që nga mosha pesë vjeçare. Pesë vjetët e para kam stërvitur karate, futboll, ping pong dhe atletikë. Në moshën dhjetë vjeçare mora ndoshta vendimin më të rëndësishëm në jetën e time, i lashë të gjitha dhe fillova të stërvitem në tenis. Ajo ishte dashuri në shikim të parë dhe menjëherë e kuptova se ky ishte sporti që më përshtatet më mirë dhe më pëlqen më së shumti. Në fillim ishte shumë e vështirë, sepse në Ulqin nuk kishte kushte adekuate për tenis, as fusha, as trajnerë dhe as klube tenisi. Por, pavarësisht gjithë kësaj, dëshira ime për të luajtur tenis ishte shumë e madhe kështu që prindërit e mi vendosën të më regjistrojnë në TK “Bar”. Në fillim nuk kanë dashur të më pranonin sepse mendonin se ishte shumë vonë për mua për të ndjekur një karrierë në këtë sport. Megjithatë, kur ata vunë re se kam një potencial të madh, ndryshuan mendimin e tyre. Pas fitores në turneun e parë më shpallen si lojtarin më të mirë i tenisit të 10 viteve të fundit të këtij klubi. Vazhdova të stërvitem në Tivar derisa u hap KT “Bellevue” në Ulqin.

 

Sa janë të rëndësishme kushtet e mira të stërvitjes?

– Kushtet e mira janë shumë të rëndësishme sepse për sukses në këtë sport është e nevojshme që të stërvitesh shumë orë në ditë. Shumë e rëndësishme është edhe përgatitja e shkëlqyer fizike, trajnimi në palestër, një shumëllojshmëri masazhes dhe trajtimesh, konsultimet me mjekët për sport, nutricionistët, etj

 

Jeta e lojtarëve të rinj, të cilët gjithmonë japin maksimumin dhe janë të vendosur për arritjen e synimeve të mëdha, ndryshon nga jeta e përditshme e kolegëve të tyre. Sa sakrifica ka në këtë mes dhe a ka mirëkuptim në shkollë për impenjimin tënd?

– Ka shumë sakrifica dhe mundësi të humbura për të cilat nganjëherë më vjen keq, por jam i prirur për këtë dhe jam i vetëdijshëm se pa sakrifica nuk mund të kapësh majat. Ndërsa miqtë e mi shkojnë në parti, ditëlindje, plazhe apo ekskursione unë duhet të stërvitem dhe vetëm të përqëndrohem në tenis. Kjo mund të jetë mjaft e vështirë dhe kërkuese. Megjithatë, unë me të vërtetë përpiqem të gjej gjithmonë kohë për miqtë dhe shkollën dhe më duhet të pranoj se mësuesit kanë kuptim të madh dhe u jam shumë mirënjohës për këtë.

 

Sa e rëndësishme është mbështetja e familjes?

– Pa mbështetjen e familjes nuk ka progres, dhe progresi është gjëja më e rëndësishme. Nga dita e parë ata ishin përkrahësit e mi më të mëdhenj, si në humbje ashtu dhe në fitore. Unë besoj në faktin që suksesi im është edhe suksesi i tyre  sepse kanë treguar kujdes maksimal për mua dhe më kanë ndihmuar në çdo mënyrë.  E ndjej mbështetjen e tyre gjatë gjithë kohës dhe çdo fitore ju kushtoj atyre.

 

“National sport park open” në Tiranë, atëherë turneu ETA ” Pont des Generations” kategoria e parë, gjithashtu deri në 16 vjet në Avignon, turneun në Sliven, Bullgari në 2013. Të gjitha këto turne i ke fituar me një lojë fantastike, dhe ke treguar se je i gatshëm për gjëra të mëdha dhe për rezultate të mëdha në turnet që të presin. Me pak fat ndoshta mund të arrihej edhe titulli në qytetin e vet të Ulqinit në turneun Cungu & CO Open, kujtojmë edhe rezultatin e shkëlqyer në një turne në Moskë. Mundësi do të ketë edhe në të ardhmen, por si i shikon të gjitha këto suksese dhe a je i kënaqur me rezultatet e deritanishme?

 

– Të gjithë turnetë janë të vështirë dhe kurrë nuk mund të dini se sa të përgatitur janë kundërshtarët. Askush nuk fle, të gjithë stërviten, thotë trajneri im. Unë kisha ndjenjë se do të fitoja, por duhet të kesh edhe pak fat. Ndonjëherë një top i vetëm është i rëndësishëm dhe ndoshta vendimtar. Suksesi im më i madh është turneu në Francë në Avignon ku kam fituar tituj në teke dhe dyshe. Konkurrenca ishte shumë e fortë, por unë isha i vendosur në momente të rëndësishme. Luajta shumë mirë dhe kisha mbështetje të madhe nga publiku. Menjëherë pas ndeshjes së parë u shpalla pretendent kryesor, dhe gazetarët më ndiqnin në çdo ndeshje dhe publikonin rezultatet e mija. Kjo ishte një përvojë e madhe.

Sezoni e kaluar ishte shumë i suksesshëm për mua dhe kam arritur vendin e tretë në Masters, i cila mbahet çdo vit në Itali – Regio Calabria. Sezonin i përfundova në vendin e 12 në botë për moshat deri në 16 vjet. Sipas Presidentit të Shoqatës së Tenisit ky është rezultati më i mirë i të gjitha brezave në Mal të Zi.

 

Këtë vit e përfundove si  nr. 730 në listën e IHF të lojtarëve më të mirë deri në 18 vjet. Cilat janë qëllimet në 2015 dhe a ka turne që kanë prioritet?

 

– Trajneri im ka vendosur një objektiv të qartë – një performancë në një nga turnetë Grand Slam – ndoshta US Open për të rinjtë. Planet për turnetë e ardhshëm janë bërë tashmë, por sigurisht e mirëpres turneun në Ulqin, i cili është prioritet.  Jam i bindur se nuk do të dështoj nëse vazhdoj me trajnimin e shkëlqyer dhe në qoftë se më anashkalojnë lëndimet. Ky është qyteti im dhe titulli në Ulqin do të jetë një dhuratë për bashkëqytetarët e mi që ishin me mua që nga fillimi.

 

Përveç formës fizike, për lojtarët e tenisit, është shumë e rëndësishme që të jenë edhe psiqikisht të fortë dhe të qëndrueshëm.

 

– Stabiliteti psiqik është një nga armët e mia kryesore. Siç e ka vërejtur edhe publiku, kur unë jam në fushë është e vështirë të vërehen shenja nervozizmi. Nga dhjetë ndeshjet e fundit që kam luajtur në tre sete, kam fituar nëntë. Për këto fitore, përveç aftësive fizike, duhet të jesh edhe mendërisht i qëndrueshëm dhe shumë i durueshëm.

 

Cili trajner të ka ndihmuar më së shumti për tu përmirësuar?

 

– Kam pasur disa trajnerë dhe secili prej tyre ka kontribuar dhe ndihmuar në përparimin tim. Megjithatë, rezultatet më të mira i kam arritur me trajnerin aktual Zoran Ivaniseviq, të cilit i takojnë edhe meritat më të mëdha.

 

Sipërfaqja jote e preferuar është dheu. E dimë se kush është mbreti i kësaj sipërfëqeje dhe mos ndoshta Rafa Nadal është idhulli yt?

 

– Është e vërtetë se preferoj dheun por është mëkat që në Ulqin nuk ka fusha me sipërfaqe të shpejta sepse në botë më shumë se 60% e ndeshjeve luhen mbi këtë bazë. Rafa është padyshim një nga lojtarët më të mëdhenj të tenisit i gjitha kohërave dhe është frymëzimi im për gjëra të mëdha.

 

Në një intervistë vetë Rafa pohoi se në moshën 16 vjeçare kalonte 10 orë në ditë në fushë. Shiu, dielli, asgjë nuk duhet të jetë pengesë në qoftë se qëllimi është të bëhesh sportist i suksesshëm . A duhet çdo lojtar të mendojë në mënyrë të tillë?

– Unë në fushë kaloj 3-6 orë në ditë. Ndoshta duhet të stërvitem më shumë, por për shkak të shkollës ende nuk mund ti kushtohem plotësisht vetëm tenisit. Çdokush që vendos qëllime të larta duhet të jetë i vetëdijshëm se nuk ekzistojnë kushte të motit që mund ta ndalojnë. Nuk është e lehtë, por tenisi është ajo që dua. Jam i vetëdijshëm se sa shumë duhet të përkushtohem dhe do të përpiqem të arritij objektivat e planifikuara.

A ke pasur ndonjë mundësi për të takuar disa nga yjet më të mëdhenj të tenisit?

– Unë udhëtoj shumë, çka është normale duke pasur parasysh se turnetë mbahen në të gjithë Evropën, dhe kam patur mundësinë të takoj tenist të mëdhenj, përfshirë David Ferrer, Fabio Fognini, Mikhail Youzhny dhe të tjerë.

Si e shohin bashkëqytetarët suksesin tënd dhe sa i ndjekin rezultatet dhe ndeshjet që ti luan në Mal të Zi dhe Ulqin?

– Jam shumë krenar që bashkëqytetarët e mi i ndjekin sukseset e mia. Disa dinë edhe rezultatet e ndeshjeve të veçanta që unë të luajë jashtë vendit, kurse tifozët më besnikë vijnë për të mbështetur në turnetë që zhvillohen në rajon. Gjithmonë do të mbaj mend ndeshjet që kam luajtur në Ulqin para publikut tim. Ishte një ndjenjë e mahnitshme. Mezi pres turneun e radhës i cili do të mbahet në Ulqin në mes të majit të këtij viti. Do të isha shumë i lumtur sikur ta fitoja këtë turne, jo vetëm për mua, por për shkak të bashkëqytetarëve të mi, që t’ju dedikoj titullin si një shpërblim pë përkrahjen e madhe gjatë këtyre viteve. Sidoqoftë, nuk ka ndjenjë më të mirë se të arrish një rezultat të tillë në qytetin e lindjes.

 

Ëndrra e çdo lojtari tenisi është qa një ditë të arrijë majat. Edhe pse është shumë herët për të folur, a beson se një ditë kjo ëndërr do të realizohet?

Askush nuk besonte as në rezultatet që kam arritur deri tani, kështu që tashmë kam habitur shumë njerëz, por qëndroj me këmbë në tokë. Nëse vazhdoj me këtë normë, asgjë nuk është e pamundur. Gjëja më rëndësishme është besimi, një angazhim i madh, qasje serioze dhe trajnim i  cilësisë sa lartë , dhe jam i sigurt se mund të bëj diçka të madhe.

 

/reprezentacija.me/