Rreshjet: Përmbytje në jug të Shqipërisë

0

Përmbytje masive parashikohen në qytete të ndryshme në jug të vendit. Rreshjet e dendura të shiut kanë shtuar prurjet e lumenjve dhe në disa segmente ka patur dalje të tyre nga shtrati.Policia e shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin udhëtimet drejt jugut, vecanërisht drejt Beratit e Vlorës. Në Novoselë të Vlorës, afro 20 shtëpi u përmbytën nga dalja e Vjosës nga shtrati. Disa familje të tjera janë evakuuar. Shtabi i emergjencës së prefekturës po hedh thasë me rërë, por deri tani kjo përpjekje ka rezultuar e pamjaftueshme . Rruga për në Bishan dhe Poro është e bllokuar. Uji ka përmbytur sipërfaqe të mëdha toke bujqësore në Novoselë e Selenicë.

Në Berat, Vjosa përmbyti të paktën 30 banesa në Urën Vajgurore. Dhjetëra familje janë evakuuar me ndihmën e shtabit të emergjencave dhe ushtrisë. Rrezikohen edhe disa lagje në Berat, si dhe bllokimi i rrugës nacionale.Edhe në Tepelenë, Vjosa ka përmbytur dhjetëra shtëpi në lagjen Gurrë dhe në fshatin Dragot. Shtabi i emergjencave ka udhëruar evakuimin e familjeve nga lagjja Gurrë, pasi e konsideron situatën tepër të rrezikshme.

Në Fier, dalja e Gjanicës nga shtrati ka shkaktuar përmbytje në lagjen Konferenca e Pezës. 70 shtëpi raportohet të jenë nën ujë. Në disa zona, niveli i ujit arrin në 1 metër.

Në Gjirokastër, lumi i Viroit rrezikon të çajë digën që e ndaj nga lumi Drino. Bashkimi i tyre do të sillte pasoja të rënda për pjesën e poshtme të qytetit.

Në Librazhd e Elbasan, prurjet e Shkumbinit janë shtuar ndjeshëm dhe kërcënojnë disa fshatra.

Në mjaft zona të vendit ka ndërprerje të energjisë elektrike.Po kështu, pa energji janë edhe disa zona në veri të vendit, si pasojë e rreshjeve të dëborës.