Rexhep Lleshi: Jubile i ndritur përkujtimor: 30 vjet të ndarjes nga jeta e Junuz Divanoviqit

0

P I SH T A R I  QË  J E T O N   DH E   N  D  R  I  Ç  O  N

 

Junuz Divanoviq2

”Është gjë e madhe të dish ta duash punën dhe të punosh, por gjë më e madhe është të dish të mësosh të tjerët që ta duan punën e të punojnë, siç dinte Junuz Divani”. Mr. Riza Rexha, Akademia solemne ”50-vjetori i ardhjes së Junuz Divanoviqit në Anë të Malit”, Katërkollë, 12.9.1997

 

Më 6. korrik 1985 u nda nga jeta mësuesi, pedagogu, pishtari i arsimit të Anës së Malit dhe Ulqinit,  ish drejtori i Shkollës fillore ”Bedri Elezaga” në Katërkollë, Junuz Divanoviqi.

Ai erdhi këtu, në Anë të Malit, në Katërkollë, në shtator 1947. Dukej i thjeshtë, me një valixhe në dorë. Kishte trup të hollë, të drejtë e të rritur mesatar. Me veshje dallohej nga të tjerët, vendasit kuptohet. U vendos në shkollë për tu bërë mësues e drejtor i saj dhe banor i këtij vendi. Ishte i pa njohur. As emrin nuk ia dinin. Për te dihej vetëm përse ka ardhur këtu e jo më tepër. ”Po, po, mësues ashtë, prej Tivari, ka ardhë me mësu fëminë”, pëshpërisnin njerëzit që nuk e njihnin. As ai nuk njihte njeri në këtë trevë. Por ata, mësuesi dhe vendasit, bashkë do të takohen, njoftohen e afrohen e me mardhënie të ndërsjella të krijojonë të mirat, larg të cilave, aso kohe, ishte ky vend dhe njerëzit e tij.

Junuz Divani, siç do ta quanin njerëzit vendas mësuesin dhe drejtorin e shkollës së tyre, u lind më 1906, në familjen arsimdashëse në Tivar Nalt. Aty e kreu gjysmëmaturen – shkollën fillore. Shkollën e mësuesisë e vijoi dhe e kreu në Dubrovnik. Misionin fisnik të mësuesit e filloi më 1929, në Bjellaj të Bosnjes ku emrohet dhe drejtor i shkollës. Punën e vazhdoi në Çelebiq të Foçës e Sanski Most, krejt ato shkolla qytetare. Dëshira për shërbim në vendlindje do t’i plotësohet në vitin 1937, kur këthehet në Tivar në cilësin e mësuesit. Pas çlirimit të vendit në vitin 1945, shërbeu mësues në shkollat e Cërmnicës, Gadejë e Sutoniq, prej ku, me urdhër të organit arsimor të RP të Malit Zi, transferohet në Anë të Malit, Vlladimir, Qarku i Tivarit, më vonë komuna e Ulqinit.

Ardhja e tij këtu përputhet me vendimin e Ministrisë së arsimit të Malit të Zi për hapjen e klasëve të

larta të shkollës fillore, me çka Ana e Malit, për herë të parë në histori fiton shkollën e atij rangu ku nxënësit vendas mësojnë në gjuhë amtare shqipe.

Drejtori i ri, punën e filloi në kushte tepër të vështira, të cilësuara me varfëri të përgjithshme materiale, edukative, arsimore etj. Këtu ndeshi në parregullsi tradicionale që haptazi pengonin zhvillimin e vendit. Ndeshi në botëkuptime të pashkruara të dala në skenë, që fuqishëm konkurronin ideve përparimtare. Ai të gjitha ato dobësi i vëren, i regjistron dhe harton planin afatgjatë për zbutje, reduktim dhe mënjanim të tyre. Në fillim s’pati përkrahje nga askush për nryshimin e ideve të mykura në vend. Por, entuziazmi, dituria e morali i lartë njerëzor që posedonte, nuk e ndalen nga qëllimi i caktuar fisnik, të luftojë prapambetjen shekullore të vendit. Për këtë qëllim, pa përtesë shkon nëpër fshatra për të buseduar me vendasit. Me gjuhën e pedagogut fliste për gjendjen në të cilën ishin dhe u tregonte çfarë duhet bërë për të dalë nga ajo. Si rrugë të vetme për të ”ikur” nga ”bota e gjetur” preferonte shkollën, mësimin e diturinë. Energjikisht i ftonte prindërit që fëmijët, pa dallim gjinie, djem e vajza, t’i çojnë në shkollë. Lidhur me te përsëriste: ”Fëmijët duhet ti çoni në shkollë. Ata duhet të edukohen e të arsimohen, të bëhen njerëz të kulturuar e të ditur!”

Ndërsa për të rriturit jashtëshkollorë, të pa shkolluar, filloi të organizojë kurse për mësim elementar dhe fuqishëm insiston në vijimin e tyre me qëndrim konkret e spjegim vizionari: ”Stop analfabetiz mit!  Ai është armiku i njeriut. Njeriu i tashëm, të paktën duhet të dijë shkrim-laxim. Pa mësim nuk do të mundet më me kaluar askush.

Në shkollë Junuzi planifikon, organizon, mëson, punon. Pas tre viteve shkollore të punës nxjerr gjeneratën e parë të nxënësve të kësaj treve me shkollë fillore të kryer. Ata i udhëzon për mësim të mëtejmë dhe kujdeset për vijimin e tyre në shkollë të mesme. Falë mundit të Tij, shkollën fillore e kryejnë dhe vajzat e para të cilat poashtu vazhdojnë shkollimin.

Suksesi i punës së tij kurorëzohet me daljen e kuadrove të parë arsimorë nga kjo trevë, si Sabriu, Xhevdeti, Haxhiu, Vata, Fadili, Rrukija … Rruga e shkollimit të nxënësve të këtij vendi hapet në të gjitha drejtimet, për tu bërë ato mësimdhënës, agronomë, inxhinierë, mjekë, ekonomistë, juristë, klerikë e tjerë, me tituj më të lartë profesional e shkencorë.

Drejtori Junuzi kujdes të veçantë i kushtoi mësimit dhe lidhjes së teorisë me praktikën. Me punë të përditshme të mësimdhënësve dhe nxënësve, nën mbikqyrjen e tij, oborri i shkollës, më parë sipërfaqe e lëshuar, shëndrrohet në lulishte me bimë shumëllojëshe lulore, njëvjeçare e të larta drurore, kënde demonstrimi të lëmive mësimore, kafaze të shpezëve e tjera shtazëve të imta.

Puna e drejtorit iu bie në sy vendasëve dhe kalimtarëve. Ajo sjell vizitorë dhe shton imazhin e shkollës dhe vendit. Shkolla bëhet vend interesimi i njerëzve të arsimit e kulturës dhe strukturave tjera shoqërore e punuese, ndërsa drejtori i saj nikoqir i vizitorëve nga mbarë Jugosllavia.

Për punën e tij të madhe e të hijshme, gazetat e ndryshme ditore e revistat e ilustruara jugosllave, me mbi 60 tituj, në mënurë impresive shkruanin e me fotografi ilustronin ambientin e bukur të rrallë shkollor të krijuar me dorën e nxënësve e mësimdhënësve të udhëhequr nga vetë drejtori, të shprehur si, ”Çudi shkolle në Vlladimir”, ”Pedagogu i denjë”, ”Shkolla e fshatit model”, ”Makarenko i Anës së Malit”, ”Bajraktari arsimit” e ngjashëm.

 

Në vitin 1961, në shkollë u xhirua filmi, kohë kjo kur në Republikën e Malit të Zi nuk kishte as studio, as aparate televizive. Të gjitha këto dëshmonin punën dhe përhapnin larg imazhin e këtij institucioni dhe këtij vendi.

Për zell e qëndrim të paparë pune e bashkëpunim korrekt të pandërprerë me prindër e mjedisin, organet shoqërore e shtetërore i ndanë shumë merita, 18 lavdërime e 14 shpërblime. Ndër to,

”Medalja e punës e rendit II”, ”Medalja për ndërtimin e socializmit” etj.

Për organizim e zhvillim të veçantë të procesit mësimor-pedagogjike dhe sukseses të arrijtur në përhapjen e diturisë, Junuz Divanit i ndahet titulli i lartë profesional arsimor – Këshilltar pedagogjik.

Përveç që është shkruar, për Junuzin dhe shkollën në Katërkollë, njrëzit e shquar të arsimit, kulturës e udhëheqës shoqëror e shtetëror, sipas shijes së vet edhe flisnin e komentonin:

Kështu, Bllazho Jovanoviqi, ikona udhëheqëse e Malit të Zi, në një vend thotë: ”Delegacionet mike nga jashtë Republika jonë, unë me kënaqësi i dërgoj për të vizitur arrijtjet e mëdha pune, në Hekuranën Nikshiq dhe Shkollën fillore në Vlladimir”. 

Heroina Sllovene, Vida Tomshiç, duke ecur shtigjeve të degëzuara rrugore, të kalldërmuara me gur vezakë të bardhë sheu, anash të stolisura me lule dhe të sinjalizuara me shenja trafiku për rregullimin e lëvizjes në oborrin e gjërë të shkollës, krejt të punuara me dorën e nxënësit, e bindur në mrekulli këtu në Katërkollë, në një moment u ndal e tha (mandej dhe e shkroi): ”Unë do të isha nëna më e lumtur sikur fëmija im të mësonte në këtë shkollë”.

Edhe pse kaloi kohë, përshtypja dhe bindja mbi arrijtjet lakmuese të kësaj shkolle ruhenin e u rikujtonin. Ashtu, shumë vite më vonë, në tubimin seminarik të drejtorëve të shkollave fillore e të mesme të Malit të Zi, mbajtur më 6. prill 1992. në Cetinë, në prani të shumë ligjëruesve, profesorë të Qendrës arsimore profesionale në Beograd, Prof. dr Pavle Gazivoda, ndihmës ministër i arsimit të Malit të Zi dhe kryetar i Shoqatës së pedagogëve të Jugoslavisë, aty udhëheqës përgjegjës, në fjalën përmbledhëse përfundimtare përveç tjerave nënvizoi dhe ”befasoi”: ”Ne tentojmë që shkolla jonë të jetë në funksion të punës, mësimit dhe suksesit ashtu siç ka qenë Shkolla fillore në Vlladimir,  aludim ky pikrisht në ”Shkollën e Junuzit”.

Këto janë vetëm do imtësi të paraqitjes së punës, mundit, mesazheve dhe meritave të Junuzit e për Junuzin. Realisht, asosh ka ma, të tjera ka shumë.

Por, siç theksoi Elez Muça, drejtori i Shkollës fillore ”Bedri Elezaga”, në tubimin mortor, më 7. korrik 1985, në Tivar, ku Junuzi u varros: ”Merita dhe vepra më e madhe e Junuzit është plejada e të shkolluarëve të Anës së Malit, me tituj superior profesional-shkencor dhe pozita të larta shoqërore.

Ai konstatim mund të ilustrohet me emrat e kuadrove të parë anamalas, ”nxënësit e Junuzit”, me arsimim profesional superior e funksione të larta shoqërore, shtetrore etj. si:

– Fadil Taipoviqi, profesor, kryetar i Komunës së Ulqinit në dy mandate, kryetar i Komitetit të turizmit të Malit të Zi, deputet në Kuvendin Federativ të Jugosllavisë.

–  Haxhi Taipi, arkitekti i punës teknike në Shkollën fillore ”Bedri Elezaga”,

–  Sabri Holloviqi, drejtor i Shkollës fillore ”Bedri Elezaga”

–  Xhevdet Hollaj, pedagog i matematikës praktike në Sh. f. ”Bedri Elezaga”,

–  Vata Elezoviq, veteran i arsimit në Shtoj,

–  Beqir Kasneci, arsimtar në Shkollë fillore në Prishtinë,

–  Dr. Salih Doçiqi, kibernetikë, drejtor i Shkollës mesme teknike në Obiliq,

–  Osman Ibroçeviqi, drejtor në Shkollë fillore në Sarajevë,

–  Mr. Riza Rexha, historian, sekretar i Bashkësisë së arsimit Ulqin,

–  Elez Muçoviqi, sekretar dhe kryetar i Komitetit komunal të LK Ulqin,

–  Dulo Holloviqi, drejtor turizmi, kryetar i Konferencës komunale të LSPP Ulqin,

–  Bajram Rexha, kryetar i Unionit demokratik të shqiptarëve në Mal të Zi,

–  Imzot Rrok Mirdita, Kryeipeshkv i Dioqezës Tiranë – Durrës,

–  Haxhi Rexhep Ef. Lika, Kryeimam i Bashkësisë Islame në Ulqin,

–  Dr. Maliq Çapriqi, agronom, Ulqin,

–  Osman Rexha, ekonomist, drejtor i FA Prishtinë, kryetar i komunës së Ulqinit,

–  Hasan Salaj, spiker në Radio dhe TV, Prishtinë,

–  Rrukije Shaba, mësimdhënëse në Shkollën fillore ”Bedri Elezaga”,

–  Ibrahim Ceka, pedagog, ndihmës ministër i arsimit të Malit të Zi,

–  Ibrahim Lukoviqi, skulptor, Ulqin,

–  Dr. Reshit Llolloviqi, stomatolog në Shtëpi të shëndetit, Ulqin,

–  Inxh. Skënder Hoxha, ndërtimtari, kryetar i komunës së Ulqinit,

–  Dr. Daut Gjoni, specialist gjinekolog, SHBA,

–  Dino Çoboviqi dhe Muho Ceka, drejtora të Shkollës fillore ”Marëshalli Tito” në Ulqin,

–  Shaban Gjekaj, solist i melosit popullor, Ulqin,

–  Mr. Idriz Ef. Demiroviqi, Reiz i Bashkësisë Islame në Mal të Zi,

–  Gjokë Shkreli, jurist në Qeverisjen lokale, Ulqin e shumë të tjerë.

Në shenjë respekti dhe kujtimi të paharruar në mësuesin e dashur dhe vepren e tij të çmuar, me nismën e Shoqatës Art Clubi Ulqin, në drejtimin e Këshillit organizativ, të prierë nga Riza Rexha, më 12. 9. 1997, në Shkollën fillore ”Bedri Elezaga” Katërkollë, u mbajtë manifestimi përkujtimor, Akademia solemne, ”50-vjetori i ardhjes së Junuz Divanoviqit në Anë të Malit, 1947-1997”.

Merrnin pjesë nxënës, bashkëpunëtorë, përfaqësues të organizatave politike, Qeverisjes lokale dhe bashkohës të drejtorit. Aty folën intelektualët të cilët Junuzin e njohën nga afër, nxënësit e tij:

  1. Mr. Riza Rexha, kryetar i Këshillit organizativ,
  2. Rexhep Lleshi, drejtor i Sh. f. ”Bedri Elezaga”,
  3. Osman Rexha, kryetar i Kuvendit të komunës Ulqin,
  4. Bajram Rexha, kryetari i parë i UDSH në Mal të Zi,
  5. Vata Elezoviqi, mësues veteran, në Shtoj,
  6. Rrukije Shaba, mësimdhënësja e parë e Anës së Malit,
  7. Sylejman Gjoni, pedagogu i parë në Sh. f. “B. Elezaga”.

Ata shprehen rrolin dhe realitetin e kësaj figure dhe me shumë respekt e dashuri ndriçuan segmentet e ndryshme të veprimtarisë së mësuesit dhe drejtorit shumëvjeçar të tyre. Nuk munguan as mbresatë nga këndvështrimi profe sional, apo detyra që ushtronin. Pa dallim fjalëve të ndryshme, shprehjet e tyre të sinqerta patën një emrues të përbashkët dhe tingëlluen si orkestër i mirëfilltë:

Junuzi ka qenë pishtar i diturisë në Anë të Malit.

 

Rexhep Lleshi: ”Drejtori Junuzi, me punë entuziaste dhe sakrificë, krijoi dhe përhapi imazhin e shkollës  më shumë se askush tjetër para dhe pas tij”.

Virtytin e pishtarit e dëshmuan nxënësit, punëtorët dashamirët dhe mbikqyrsitë e shkollës në vend dhe jashtë. Për ate ai u bë sinonim i arsimit dhe diturisë së këti mjedisi. Drejtori Junuzi fitoi respekt nga të gjithë njerëzit, hyri në zemër të çdo nxënësi, të cilët me dashuri prindërore i udhëzoi në rrugën e mirëqenjës dhe të përparimit.

Më at rast, në hyrje të oborrit të Shkollës së vjetër, ku Junuzi punoi dy dekada, në prani të shumë banorëve vendas e të ftuar u zbuluar busti i tij, të cilin në shenjë mirënjohje mësuesit të vet e punoi skulptori vendas, Ibrahim Lukoviqi.

Përball bustit të këtij humanisti, me mallëngjim foli kryetari i komunës së Ulqinit, Osman Rexha, i cili duke rikujtuar edhe porositi: ”Me punën e vetë të palodhur drejtori Junuzi këtë vend e ka obliguar shumë, e neve, nxënësit e tij, do t’ia shpërblejmë ate, vetëm nëse punojmë ashtu siç aj na ka mësuar”.

Junuz Divani nuk shkrojë libra e artikuj gazetaresk. Ai fakt aspak dhe në asnjë mënyrë nuk e zvoglon vlerën e tij intelektuale. Sepse, ai shkrojë tërë jetës duke mësuar tjerët, nxënësit, neve. Mësojë se si me mësuar, prej fillimi, rregullisht, pa u ndalë! Në shkollë apeloi dhe mësoi në gjuhën amtare të vendit, shqipe, dhe energjikisht iu kundërvuar imponimeve të tjetërsara. Mësoi se gjuha e nënës është e shenjtë e në te duhet mbështetur edhe përkundër faktit se erërat cinike për rreth, për gjuhëen shqipe ”fryenin” si për gjuhë fshati e të fshatarëve. Mësojë se njeriu duke mësuar bëhet i dijtur e i dituri i lirë e i pavarur. Kur njeriu arrinë në atë shkallë bëhet i pasur e i fortë dhe s’ka forcë që ta mashtrojë, thej e shkatrroi.

Edhe pas tri dekadave që mësuesi ynë u nda nga jeta, kujtimi në punën dhe mësimet e çmuara të tij është i freskët dhe mbetet i paharruar. Ai sikur ende jeton e rrezaton. Aj duhet të mbesi udhërrëfyes i të gjithë atyre që në mendje e zemër kanë edukimin e mësimin, zhvillimin e përparimin. Aj duhet të jetë model i punëtorit e mësimdhënësit, drejtuesit e udhëheqësit. Këtë figurë gjigante të arsimit, jo vetëm anamalas, por dhe më gjërë, të gjithë duhet ta ndërojmë e afirmojmë si vlërë të çmuar të përhrëshme e të përbashkët në mirëqenien e këti vendi dhe njerëzve të tij, të cilëve tërë jetën ia kushtoi dhe aqë shumë në to investoi.

Unë pata fat, që për tetë vite të mësimit fillor, të jam pjesë e institucionit arsimor që udhëheqi pedagogu i shquar e në katër klasë të larta edhe nxënës i tij. Ai fakt më solli kënaqësi në punë, më bëri të lumtur në jetë. Mendoj se në këtë kuptim nuk jam i vetëm, as i rrallë. Ashtu duhet të ndihen gjithë tjerët, nxënësit e shkollës së Junuz Divanit.