Qendra për Kulturë: U përurua libri i parë i shkrimtares Edita Nimanbegu

0

Sonte, me fillim në ora 19.00, në galerinë e arteve të mbushur përplot, u përurua libri “Shtigjet e fatit” i shkrimtares nga Ulqini Edita Nimanbegu.

Përurimi mblodhi një numër të madh dashamirësish të letërsisë, miq dhe familjarë të shkrimtares, të cilët nuk ngurruan të shprehin kënaqësinë që ndodhen në përurimin e romanit të parë të një shkrimtareje grua nga Mali i Zi.

Në përurim fjalën e mori edhe drejtori i Qendrës për Kulturë Nail Draga, i cili vlerësoi kontributin që një vepër e tillë dhe nga një shkrimtare si Edita, japin për skenën letrare dhe artistike të qytetit.

“Botimi i një libri paraqet një moment të vecantë për autorin, por një moment të vecantë edhe për mjedisin përkatës”, tha Draga.

Në përurim, për librin dhe autoren, folën botuesi Gazmend Çitaku,  Valbona Hoxha dhe Liridona Sinishtaj, të cilët bënë një përmbledhje të vlerave që ky roman ka për skenën letrare të qytetit, duke e pasuruar atë me një vepër e cila në mënyrë të përsosur përshkruan diferencat sociale, kornizën psikologjike dhe realitetin e përditshëm të Uqlinit të pas luftës.

Përvec veprës, të pranishmit patën mundësi të shijojnë edhe anën tjetër artistike të shkrimtarës, atë të pikturimit. Në galeri ishin të ekspozara një sërë pikturash të vetë autores, cka tregon për gjithanshmërinë artisitke të Edita Nimanbegut.