Prokuroria le të hetojë për blerjen e makinave

0

Komuna e Ulqinit në shpalljen e bërë në faqen e saj zyrtare, doli me disa sqarime në lidhje me blerjen e 3 automjeteve për nevojat e saj. Pasi tekstin për çmimin dhe blerjen e këtyre automjeteve e ka publikuar portali ynë, mendojmë se është e nevojshme të japim disa sqarime edhe nga ana jonë.

Në këtë shpallje, e cila duhej të jepte përgjigje në lidhje me arsyet e blerjes së këtyre automjeteve me çmim shumë më të shtrenjtë se ai në treg, Komuna dha mjaft informata, por jo ato që duhej të jepte.

Në të 7 pikat që pretendohet se janë dhënë sqarime, në asnjërën nuk shpjegohen arsyet  se pse Komuna duhej ti paguante ato me atë çmim.

Arsyetimi se çdo gjë është e ligjshme dhe se nuk ka pasur manipulime me tender është i panevojshëm, pasi në tekstin tonë nuk kemi akuzuar as për paligjshmëri e as për manipulime.

Ne vetëm kemi tërhequr vërejtje për çmimin e lartë të paguar për këto automjete, pasi me vlerën e afro 22.000 eurove, sipas çmimeve në treg, mund të bliheshin 4 të tillë, e jo 3 sa mori Komuna.

Nëse qytetarët kanë dyshime, këtë mund ta vërtetojnë vetë në tregjet aktuale, ose duke vizituar faqet e internetit që merren me këtë biznes.

E gjithë kjo, në popull ngrit pyetjen se pse janë shpenzuar kaq shumë të holla per 3 makina me vlerë shumë më të vogël, apo ndoshta janë të vërteta fjalët që qënka edhe një makinë e katërt që nuk figuron në tender?!

Por kjo është punë për prokurorinë, jo për portalin tonë.