Projekti artificial “Kombi Kosovar” e pushkatoi Isa Boletinin!

0

nga Gëzim Mekuli

Projekti artificial “KombiKosovar” e pushkatoi Isa Boletinin në shekullin XXI, projekti i UNMIK-ut dhe tani i EULEX-it (Kombi Kosovar) po shkakton depresione kolektive, përçarje familjare dhe ndarje kombëtare tek shqiptarët. Ky projekt artificial dhe diktatorial është duke tentuar me çdo kusht që të “kosovarizojë” ikona dhe simbole të identitetit kolektiv shqiptar.

Për hir të kësaj u “kosovarizua” heroi i shqiptarëve, Isa Boletini. Kombi “Kosovar” u krijua nga “flamuri i Ahtisarit, himni pa tekst e pa gjuhe, u krijua “darka e lames”, “qeni kosovar”, “flija kosovare”, “djathi kosovar” e biles edhe “heronjtë kosovarë”. U fshi, u largua dhe u retushua fjala “Shqiptar”!

Qëllimi i tyre është, veç të tjerash, që Kosova të “rrezatojë” dhe të konotojë identitetin dhe simbolin “kosovar” dhe jo atë “shqiptar”. Prandaj, edhe jo rastësisht, heronjtë, fjalimet politike, kushtetuta, epika, hartat, kënga dhe mediat masive konsiderohen si elementë retorikë me qëllim që të krijohen identitete, kombe të reja. Retorika konstruktive është fondamentale për homogjenizimin, krijimin dhe sundimin e kombeve “të pamend”.

Do të thoja se nuk ishte aspak diplomatike e as larghedhëse pranimi i disa njerëzve (dështakë) që Heroin e Shqiptarëve ta përdorin për përfitime e për eksperimente sociale. E tërë kjo që po ndodh sot, është tregues i asaj se, mungon shteti, mungon akademia, mungon vetëdija kolektive…. Të gjitha këto bashkë po na ndëshkojnë si komb e si njerëz. Sot, trashëgimtarët e te madhit Isa Boletini u lanë vetëm, u tradhëtuan, u harruan dhe u përdorën “si mjet” nga disa parti politike dhe disa individë, që duan të ndërtojnë karrierë në emër të veprave të heroit të madh të Shqiptarëve.

Këta e minimizuan veprën epokale të Isait, këta e parcializuan, e izoluan dhe e lokalizuan epopenë e tij, duke e mbitheksuar karakterin lokal, e në anën tjetër duke nënvlerësuar idenë historike e gjithëpërfshirëse të heroit për Shqipëri të ribashkuar.

Në këtë lojë të pistë, rol të madh po luajnë projektuesit e “kombit kosovar”. Pra janë këto rryma që po tentojnë që me çdo kusht të ndërtojnë një “komb të ri”, antihistorik, kombin artificial e ideologjik, atë “kosovar”. Dhe, duke ndërtuar ikona, simbole dhe heronj “kosovarë”, këta po mashtrohen e po mendojnë se po ndërtojnë kombin “kosovar” të porositur nga “dikush”. Për turp të tyre edhe i madhi Isa Boletini u “kosovarizua”, u poshtërua dhe u manipulua. Ideja sllave e copëtimit të kombit shqiptar po konkretizohet, tani përmes retorikës ndërtuese. Ju të nderuar, pasardhës të së madhit Isa Boletini, jeni plotësisht të pafajshëm dhe njëkohësisht të jeni krenarë.

Të turpshëm, dështakë dhe të palexuar do të jenë ata të cilët e pranuan kapitullimin për ta “vrarë Isa Boletinin për së dyti herë”. Ata e “pushkatuan” sot dhe e ofenduan rëndë edhe luftërat për pavarësi që nga 1878, duke pranuar që Heroi i pavarësisë të prehet atje ku ai më së paku do ta dëshironte.

Atje ku simbolika për bashkim kombëtar është e vogël, e për ndarje është e madhe. Isai ynë, Isai i Shqiptarëve, e donte Shqipërinë e ribashkuar, kombin e bashkuar, e jo kombin e ndarë, shtetin e përgjysmuar e të korruptuar. Sot mediat po manipulojnë dhe po propagandojnë. Mediat e ambasadave po thonë se, kinse, familjarët e heroit janë pajtuar për ta varrosur Heroin në Boletin.

Kjo është një gënjeshtër, sepse familja nuk u pajtua kurrë, por u pajtuan disa individë, të cilët tradhëtuan dhe shkelën në besë vendimin historik të familjes së tyre dhe të Qeverive së Tiranës dhe të Prishtinës. Këta individë u shitën për interesa personale. Politikanët fshatarë, me diploma universitare të blera, u erdhën në ndihmë këtyre individëve të shitur, dhe tani po bëjnë përfitime, “status” dhe dukje spektakolare në media…. po përdorin eshtrat e heroit tonë, po tallen me veprat kolosale të diplomatit e të luftëtarit të Shqipërisë…. Po poshtërojnë të gjallët e të vdekurit.

/albeu.com/