Prof. dr. Hajrullah Koliqi: IDIOTIZMI I AKADEMISË MALAZEZE

1

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Malit të Zi, në “Fjalorin e gjuhës popullore e letrare malazeze” 1 (2016), “provoi shkencërisht” se shqiptarët në Malin e Zi, e paskan vazhduar me sukses traditën e hershme të shqiptarizimit të sllavëve ortodoksë, të njohur në historiografinë serbo-malazeze si “poarnauqeni serbi”. Çudi, shqiptarët me shekuj të pushtuar nga të tjerët, na qenkan shndërruar në pushtues dhe agresorë të tyre. Çudia bëhet edhe më idiotike, kur Akademia “dëshmon” se procesi i shqiptarizimit të ortodosëve sllavë në këtë Republikë paska qenë më i theksuar pas Luftës së Dytë Botërore!

O Akademi e mjerë, pjellë e Akademisë dhe e Kishës Ortodokse Serbe, motër e Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, e financuar nga Shteti malazez! Po, si ka mundësi që shqiptarët në Republikën e Malit të Zi të shqiptarizojnë të tjerët, kur ata janë aq pak nga numri (rreth 50.000) dhe janë e kanë qenë vetë ata vazhdimisht të diskriminuar, të përçmuar dhe të fyer, edhe pas Luftës së Dytë Botërore, si në periudhën e socializmit, ashtu edhe në këtë të demokracisë? Pikërisht shqiptarët në këtë Republikë kanë qenë dhe janë komuniteti më i diskriminuar, nën presionin e vazhdueshëm të tjetërsimit, sllavizimit dhe të mbijetesës. Me dhembje kujtojmë represionin permanent kriminal të UDB-së, të organeve të sigurimit mbi shqiptarët në këtë Republikë, të udbashëve të tipit të Gosheviqit, Peroviqit, Brajeviqit etj.; ndarjen administrative të shqiptarëve në pesë komuna, me qëllim defaktorizimin e tyre; sllavizimin e patronimeve dhe të toponimeve; administratën në gjuhën sllave; arsimin me kurrikula sllave-malazeze, me përmbajtje qesharake shqiptare; ndalimin e përdorimit të simboleve kombëtare, për të arritur te tjetërsimi dhe sllavizimi i popullsisë së trevave të tëra shqiptare në këtë Republikë (Plava, Tivari, Shestani etj). Për sllavizimin e tyre, kontribut të veçantë është duke dhënë Kisha Ortodokse Serbe, pikërisht tani në kohën e demokracisë, padyshim me përkrahjen e heshtur të autoriteteve shtetërore të Malit të Zi. Politika sistematike shkombëtarizuese antishqiptare në Malin e Zi ka arritur deri në atë pikë sa shqiptari i Gjon Buzukut të deklarojë me krenari dhe me arrogancë se nuk është shqiptar, se gjuhën shqipe nuk e ka gjuhë amtare, se nuk i duhet shkolla me mësim në gjuhën shqipe… Çfarë tjetërsimi moral dhe shpirtëror: mohon gjuhën, kulturën, historinë, gjyshërit e vet në shtëpi të vet!

Shqiptarët në këtë Republikë janë të braktisur dhe të harruar edhe ekonomikisht. Mungojnë investimet, mungojnë kushtet elementare për jetë. Dëshmi për këtë është Komuna e Ulqinit, me gjithë ato potenciale turistike dhe ekonomike dhe me aq pak interesim dhe investime kapitale nga Shteti. Ndërsa dëshmia më domethënëse për gjendjen e dhimshme të shqiptarëve në Malin e Zi është emigrimi masiv i popullsisë, i të rinjëve dhe të rejave… Fshatrat shqiptare po boshatisen, numri i nxënësve po zvoglohet, shkollat po mbesin me 2-3 nxënës dhe po mbyllen …

Pra, shqiptarët në Malin e Zi, pa pushtet real, votuan për pavarësinë e tij, luftojnë për mbijetesë, shumë prej tyre kanë marrë botën në sy, ndërsa Akademia e Malit të Zi i akuzon për shkombëtarizimin (shqiptarizimin) e të tjerëve. Natyrisht, ky “zbulim” ka edhe anën pozitive. Kjo është edhe një kambanë zgjimi (kambanë akademike madje, sikur kambanat e Kishës Ortodokse Serbe) për të gjitha ata shqiptarë që jetojnë me iluzionin se demokracia (si dikur vëllazërim-bashkimi) do t’i çrrënjosë mitet, opsesionet e projektet antishqiptare në Ballkan, për të gjithë ata politikanë shqiptarë e jo shqiptarë, të cilët i mbyllin sytë për pozitën thellësisht diskrimuese të shqiptarëve në Malin e Zi. Akademikët malazezë të profilit të Dobreçiqit, Cvijiqit, Joviqeviqit, Llukiqit, Radoviqit dhe të simsiles së tyre punojnë, nuk flenë për realizimin e ideve dhe projekteve antishqiptare, nën hundën ose të mbështetur edhe nga adminstrata shtetërore malazeze. Si pinjoll i atyre anëve, e vlerësoj shumë profesoreshën e nderuar nga Cetinja, zonjën Jelena Shushanj për reagimin dhe guximin e saj intelektual dhe të gjithë ata që shprehen neveri dhe u revoltuan kundër insinuative antishqiptare të Akademisë së Malit të Zi. E vlerësoj shumë sjelljen dinjitoze dhe kombëtare të deputetit Nik Gjeloshaj në Parlementin malazez dhe diskutimin e deputetes Ledi Shanku në Parlamentin shqiptar.

1 Koment

  1. Kurse partia “me e madhe, FORCA” ne menyre prefid, kinse reagon sa per te mos u korik tersisht para shqiptareve sepse nese me te vertet ndihet e ofenduar, si gjith ne dote dinte te reagonte!

Comments are closed.