Proceset integruese Mali i Zi – BE

0

Shkruan: Granit Hoxha – Politolog

Rënia e regjimeve komuniste në Evropën Qëndrore dhe Lindore hapi rrugën për zgjerimin e metejshëm të Unionit Evropian. Në vitin 1993, Këshilli Evropian i Kopenhagës mori një vendim krucial që të gjitha shteteve të Evropës Lindore dhe Qëndrore të i’u hapte perspektivën e anëtarësimit nëse do të plotësonin kriteret e caktuara nga Bashkimi Evropian. Bashkimi Evropian (BE) ka marrur përsipër përgjegjësinë për të shtyer përpara reformat politike dhe ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë në mesin e tyre edhe shtetin e Malit të Zi.

Mënjëherë pas shpalljës së pavarësisë më 3 qershor të vitit 2006, integrimi i Malit të Zi në bashkësinë ndërkombëtare është zhvilluar në mënyrë të shpejtë dhe pa ngecje. Procesin e anëtarësimit në BE, Mali i Zi e ka përcaktuar si objektiv parësor dhe si prioritet i të gjitha proceseve reformuese dhe ndryshimeve pozitive në shoqëri.

Perspektiva evropiane e Malit të Zi u ripohua nga Këshilli i BE-së në qershor të vitit 2006 me njohjen e pavarësisë së Malit të Zi nga vendet anëtare të BE-së. Këshilli i BE-së më 22 janar të vitit 2007 ka miratur Partneritetin Evropian me Malin e Zi. Mali i Zi ka nënshkruar më 15 tetor të vitit 2007Marrëveshjen e Stabilizimi Asocimit (MSA) dhe Marrëveshjen e përkohshme mbi Tregtinë dhe çështjet e lidhura me tregtinë. Marrëveshja e Stabilizimi Asocimit ka hyrë në fuqi më 1 maj të vitit 2010, ndërsa Marrëveshja e përkohshme mbi Tregtinë dhe çështjet e lidhura me tregtinë ka hyrë në fuqi më 1 janar të vitit 2008.

Mali i Zi paraqiti kërkesën për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2008, dhe në përputhje me nenin 49 të Traktatit të BE-së, shtetet anëtare të BE-së kërkuan më 23 prill të vitit 2009 që Komisioni Evropian të përgatisë një opinion mbi meritat e aplikimit të Malit të Zi.

Komisioneri Evropian për Zgjerim Oli Rehn më 22 korrik të vitit 2009 i’u ka dorëzuar autoriteteve të Malit të Zi pyetësorin për përmbushjen e detyrimeve të anëtarësimit në BE, kurse Kryeministri i Malit të Zi Millo Gjukanoviq më 9 dhjetor të vitit 2009 i’u ka dorëzuar përgjigjet e pyetësorit BE-së.

Që nga 19 dhjetori i vitit 2009, BE i’u mundësoi qytetarëve të Malit të Zi qasjen pa viza në të gjitha vendet anëtare të Shengenit (25 shtete) brenda Bashkimit Evropian dhe në tre shtetet tjera në Islandë, Norvegji dhe Zvicrër. Liberalizimi i vizave për Malin e Zi ka qenë rezultat i një procesi që filloi në maj të vitit 2008 dhe hyri në fuqi më 19 dhjetor të vitit 2009.

Komisioni Evropian ka theksuar se Mali i Zi ka bërë përparim të rëndësishëm në drejtim të hapjes së bisedimeve mbi anëtarësimin në BE, ku Bashkimi Evropian më 17 dhjetor të vitit 2010 i dha Malit të Zi statusin zyrtar të vendit kandidat.

Komisioni Evropian më 12 tetor të vitit 2011 ka miratuar Strategjinë Vjetore të Zgjerimit dhe Raportin e Progresit të vitit 2011 për Malin e Zi, ku ka potencuar se Mali i Zi ka bërë përparim në përmbushjen e kritereve politike për anëtarësim në BE dhe ka bërë përparim në krijimin e një ekonomie tregu funksionale.

Komisioni Evropian më 10 tetor të vitit 2012 ka prezantuar Raportin e Progresit të vitit 2012 për Malin e Zi. Ky është Raporti i parë i Progresit për Malin e Zi që kur vendi hapi negociatat e anëtarësimit me BE-në më 29 qershor të vitit 2012. Komisioni Evropian arriti në përfundimin se Mali i Zi ka bërë progres në krijimin e një ekonomie tregu funksionale, ka përmirësuar aftësinë e tij për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit në BE, dhe vazhdon të përmbushë kriteret politike për anëtarësimin në BE.

Mali i Zi më 18 dhjetor të vitit 2012 ka hapur dhe ka mbyllur përkohësisht kapitullin 25 për Shkencë dhe Hulumtim. Kurse, më 15 prill të vitit 2013 ka hapur dhe mbyllur përkohësisht kapitullin 26 për Arsim dhe Kulturë.

Partneriteti Evropian si një instrument i Procesit të Stabilizim Asociimit ka për qëllim të sigurojë mbështetje autoriteteve malazeze për arritjen e perspektivës evropiane të Malit të Zi. Objektivi i Partneriteti Evropian është të identifikojë fushat prioritare në të cilat Mali i Zi duhet të kryej reformat, në mënyrë të veçantë me legjislacionin e BE-së.

Bashkimi Evropian ka publikuar më 8 tetor të vitit 2014 Raportin e Progresit për Malin e Zi, i cili përfshin periudhën nga tetori i vitit 2013 deri në shtator të vitit 2014. Në këtë raport, Bashkimi Evropian i dedikon Malit të Zi të vazhdojë në plotësimin e mëtutjeshëm të reformave politike, ekonomike dhe marrjën përsipër e detyrimeve të anëtarësimit në BE, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjën e pakicave.