Proceset integruese Mali i Zi – BE (3)

0

Shkruan: Granit Hoxha – Politolog

Aplikacioni për anëtarësim në BE pasohet nga një proces i gjatë dhe rigoroz. Procesi i anëtarësimit zyrtarisht fillon në momentin kur vendi kandidat parashtron aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e BE-së, ku janë të përfaqësuara të gjitha qeveritë e vendeve anëtare.Këshilli i BE-së kërkon nga Komisioni Evropian për të vlerësuar mundësitë dhe aftësitë e vendit kandidat që t’i plotësoi kushtet për anëtarësim në BE. Nëse Komisioni Evropian jep vlerësim pozitiv dhe Këshilli i BE-së pajtohet njëzëri për mandatin negociues, atëherë hapen zyrtarisht negociatat për anëtarësim mes kandidatëve dhe shteteve anëtare të BE-së.

Për t’i përkrahur vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE, hartohet strategjia e para anëtarësimit, në cilën përfshihen instrumente të ndryshme për përkrahjen e procesit të anëtarësimit. Strategjia e para anëtarësimit përfshin këto instrumente: marrëveshjet kontraktuale që definojnë obligimet e duhura, prioritetet e Partneritetit Evropian përmes të cilave duhet të trajtohen objektivat dhe reformat nga vendet aspiruese, si dhe përkrahja financiare e BE-së ndaj shteteve në arritjen e këtyre objektivave. Politika e BE-së në kuadër të politikës së zgjerimit, gjegjësisht anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, njihet si Procesi i Stabilizim Asociimit (PSA). PSA-ja është strategji e BE-së dhe përmban tri qëllime kryesore që janë: stabilizimi dhe transformimi i shpejt në ekonominë e tregut, nxitja e bashkëpunimit rajonal dhe perspektiva e anëtarësimit në BE.

Vendet që marrin pjesë në PSA-në i’u nënshtrohen reformave transformuese si: konsolidimi i demokracisë, sundimi i ligjit, krijimi i ekonomisë funksionale të tregut përmes aprovimit të ligjeve, si dhe përafrimi i tyre me legjislacionin e BE-së. PSA-ja përfshin disa instrumente që kanë për qëllim udhëzimin dhe lehtësimin e perspektivës evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Instrumente për vendet e Ballkanit Perëndimor janë: MSA-ja, Partneriteti Evropian, Raporti i Progresit, asistenca financiare, si dhe bashkëpunimi rajonal.

Procesi i Stabilim Asociimit u jetësua në maj të vitit 1999, si një rrugë e re për integimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky instrument filloi praktikisht të realizohet nga Samiti i Zagrebit, i cili u zhvillua më 24 nëntor të vitit 2000, ku shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe shtetet anëtare të BE-së, u pajtuan të ecin përpara me Procesin e Stabilizim Asocimit, si një mjet për të përgaditur Ballkanin Perëndimor për reforma të qëndrueshme dhe për të fituar statusin e vendit kandidat. Marrëveshja e Stabilim Asociimit është nënshkruar ndërmjet BE-së dhe Republikës së Malit të Zi, në Podgoricë, më 15 mars të vitit 2007.

Marrëveshja e Stabilim Asociimit ka këto objektiva:

– Të mbështesë përpjekjet e Malit të Zi për forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

– Të kontribuoi në stabilitetin politik, ekonomik dhe institucional në Mal të Zi, si dhe stabilizimin e rajonit.

– Të mbështesë përpjekjet e Malit të Zi për një ekonomi tregu funksionale, me qëllim të përballjës së konkurrencës në tregun e BE-së, si dhe të zhvilloi gradualisht një tregti të lirë ndërmjet BE-së dhe Malit të Zi.

– Të nxisë bashkëpunimin rajonal në të gjitha fushat që i mbuluon Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.

BE ka përcaktuar se e ardhmja e vetme për shtetet e Ballkanit Perëndimor është anëtarësimi në BE, duke ditur faktin se në Ballkanin Perëndimor nuk është e pazhvilluar kultura politike e demokratike. Andaj, shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të zhvillojnë bashkëpunim rajonal dhe marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet tyre, pasi janë të domosdoshme dhe të nevojshme, për shërimin e plagëve të mbetura nga konfliktet e shekullit të kaluar, si dhe për një proces të suksesshëm dhe anëtarësim sa më të shpejt në BE.