Problemet e pronarëve të lokaleve me inspeksionet

0

Pronarët e lokaleve, që gjatë sezonit dyfishohen në numër, shpesh hasin në probleme të shumta me inspeksionet e ndryshme që tentojnë të vendosin sadopak rregull në ofertën turistike të qytetit.

Sidoqoftë, vendosja e rregullit dhe mbledhja e taksave nuk është një punë e lehtë, pasi “ikja” nga detyrimet është sport kombëtar dhe rajonal, nga i cili nuk janë imun as personalitetet me famë.

Kjo punë bëhet edhe më e vështirë kur vetë inspeksionet, qoftë komunale apo republikane, përdorin standarde të dyfishta gjatë punës së tyre.

Në adresë të portalit tonë ka kohë që vijnë ankesa dhe akuza për fenomene të tilla, vërtetsinë e të cilave e ka provuar edhe autori i këtij teksti.

Në qytetin tonë ka objeke afariste të cilët në pjesën më të madhe nuk japin kupon tatimor, dhe për këtë as nuk paguajnë kurrë ndonjë gjobë, kurse inspeksionet ruhen mirë që të mos kalojnë nga dera e tyre. Në anën tjetër, disa subjekteve inspeksionet nuk u dalin nga dera, duke i gjobitur edhe për mungesë sapuni.

Gjersa disa lokale i qesin tavolinat dhe karrigat në rrugë, pa paguar kurrgjë, disa paguajnë 3 metra terracë afër 1.000 euro.

Sipas disa burimeve të portalit tonë, disa lokale bile nuk i paguajnë aspak taksat për tarraca, cka irriton ato që i paguajnë dhe shkakton konflikt me inspektorët komunal. Këto të fundit shpesh ankohen për mungesë kuptimi nga ana e pronarëve, por harrojnë se rregullimi i kësaj veprimtarie është detyrë e tyre dhe se favorizimet politike dhe familjare do tu paraqesin vetëm pengesë.

Kuptohet që edhe korrupsioni luan rolin e tij. Në cdo subjekt afarist ka puntorë që punojnë në të zezë, bile edhe nga 56 orë në javë, kurse inspektorët e punës kapin hijet nëpër lokale dhe tallen me punën e vet.

Nëse në fund të sezonit pyetën pronarët dhe inspektorët për arritjet e tyre, mund të marrësh vetëm një përgjigje. Pronarët ankohen se sezoni u ka dështuar për faj të inspeksioneve, kurse inspektorët ankohen se pronarët janë fajtorë për buxhet të zbrazët.

E vërteta duhet të jetë diku aty afër…..