Primus: Drejtori akuzohet për evazion fiskal. Cakuli: Së shpejti me deklaratë se si sillet shteti me ato që pagujanë detyrimet

0

Kundër drejtorit të kompanisë “Primus Electronics” Xhaudet Cakuli dhe gruas së tij Diana Cakuli, janë ngritur akuza për falimentim të paramenduar dhe evazion fiskal. Këto akuza janë bërë të ditura nga policia kriminale, dhe përfshijnë edhe Emina Rexhepagiq nga Podgorica, shkruan “Vijesti”.

Sipas policisë, duke mos paguar tatimet dhe kontributet, ato kanë dëmtuar buxhetin e Malit të Zi për shumën e rreth 985 mijë eurove.

Cakuli në deklaratën për “Vijesti” tha se ai ishte i vetmi përgjegjës për cdo gjë që ka ndodhur në këtë kompani dhe mohoi të ketë shkaktuar falimentim të qëllimshëm.

“Për 24 vite, kompania ime i ka paguar shtetit  më tepër se 20 milion në formë të tatimeve dhe kontributeve”, tha Cakuli.

Ai shtoi se borxhi që përmendet nga policia është dhjetëfish më i ulët. Ai tha se deri te falimentimi i kompanisë ka ardhur për shkak të rënies së të ardhurave dhe qëndrimit të gabuar të bankave ndaj kompanisë së tij.

“Së shpejti do të dal me një deklaratë ku do të sqaroj se si sillet shteti me kompanitë që rregullisht i shlyejnë detyrimet e tyre”, përfundoi Cakuli.