Politikbërja dhe planifikimi i politikave

0

Shkruan: Granit Hoxha

 

Politikbërja nënkupton realizimin apo jetësimin në praktikë të synimeve të deklaruara, vizionit dhe programit politikë në veprime konkrete të dukshme, me qëllim të përmirësimit të cilësisë të jetës së qytetarëve. Pra, politikbërja përfshin një varg veprimesh përmes të cilave synimet e deklaruara përkthehen në rezultate politike.

Në jetën tonë të përditshme ndikohemi vazhdimisht nga politikat e ndryshme në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi. Cilësia e jetës së qytetarëve ndikohet pikësëpari nga përformansa ekonomike (politikat ekonomike), nga kujdesi ndaj shëndetit (politikat shëndetësore), nga cilësia e arsimit (politikat arsimore), nga ndërtimi i rrugëve dhe funksionimi i rregulltë i sinjalistikës rrugore (politikat infrastrukturore), nga ruajtja e mjedisit (politikat mjedisore), dhe nga shumë politika të tjera.

Kërkesat e qytetarëve janë më të mëdha kundrejt politikbërësve për realizimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të politikave të sipërpërmendura, nëse ekziston dhe frymon në nivel të lartë vetëdija qytetare dhe kultura politike demokratike. Llogaridhënia, transparenca dhe përgjegjësia e politikbërësve ndaj qytetarëve është një ndër kushtet thelbësore për funksionimin e një shoqërie demokratike, sepse qytetarët janë vlerësuesit më të drejtë dhe përcaktuesit më të saktë të realizimit apo mos realizimit me sukses të një politike nga ana e politikbërësve.

Kjo kuptohet më së miri nëse analizojmë shoqëritë perëndimore demokratike, të cilat politikën e kanë kulturë, ndërsa kulturën pjesë të pandashme dhe funksionale të politikës. Nëse politika dhe kultura nuk bashkëjetojnë paqësisht, atëherë kjo na shpie tek “politikat njëmendësie” (nuk shohin përtej vetës së tyre), të cilat politika mundësojnë realizmin e synimeve vetijake karshi interesave të përgjithshme qytetare.

Njerëzit kanë shumëllojëshmëri të ndjenjave, kanë pasione dhe përbuzje për gjëra të ndryshme, ndjejnë gëzim dhe keqardhje, ndjejnë shpresë dhe frikë. Andaj, disa ndjenja janë fisnike, kurse disa të tjera janë abuzuese.

Aftësia për të qenë i paanshëm është ndjenja ndaj së mirës dhe ndaj së keqës, pra është vetëndërgjegjia. Shoqëria e shëndoshë ekziston vetëm nëse njerëzit kanë ndërgjegje të pastër, që le të kuptohet se edhe politikbërja duhet të bëhet nga individet e ndërgjegjshëm. Shkaku kryesor I dobësimit të ndërgjegjës është përbuzja dhe mungesa e komunikimit me të tjerët (për t’i njohur problemet), pra kur humbet aftësia për të parë vetën me sytë e të tjerëve.

Shumë procese ekonomike, politike dhe shoqërore janë të ngadalshme dhe nuk realizohen brenda një dite, por kalon kohë deri tek përmbushja dhe realizimi i tyre. Kjo mundëson që efektet e fillimit mund të tregojnë një drejtim apo kahje të mirë, për dallim nga përfundimi ku rezultatet e pritura nuk mund të ndodhin. Pra, ndodhë që në disa raste të kemi një fitore afatshkurtër, fitore e cila (mund të) paguhet me humbje në periudha afatgjatë.

Shumë shkaqe të përparimit dhe zhvillimit të një qyteti qëndrojnë të padukshme dhe mund të i’u mungojë kuptimi shkakor i dukshëm. Në njërin rast, përpjekjet e politikbërësve mund të mos kenë fuqi veprimi, pasi nuk kanë kahun e duhur drejt burimeve problematike.

Kurse, në rastin tjerër, përpjekjet e politikbërërsve në mënyrë të (pa) vullnetshme mund të zgjerojnë rrezen e problemeve dhe të humbin shpresën për zgjidhjen e tyre.

Politika nuk përfshin vetëm marrjen e vendimeve, por definimin, përshkrimin dhe zgjidhjen e problemeve dhe çështjeve që janë preokupuese/shqetësuese për qytetarët/shoqërinë.

Politika nënkupton atë se “çka” duhet bërë, “kur” duhet bërë, “si” duhet bërë, dhe sa përputhen përfundimet e politikbërjës me synimet e deklaruara. Kjo tregon se, në politikbërje ka rëndësi mjaft të madhe posedimi i përvojës racionale politike në diagnostifikimin e problemeve dhe në parashikimin e veprimeve apo masave që duhen marrë apo ndjekur për zgjidhjen e virozave të problemeve.

Tri çështje janë të rëndësishme gjatë planifikimit dhe dizajnimit të politikave: çështja e  efikasitetit, çështja e efiçiencës dhe çështja e kostos së implementimit. Gjatë planifikimit dhe dizajnimit të politikave duhet të merren parasysh se cilat janë përfitimet apo çfarë të mirash do të sjellin jetësimi i politikave të caktuara, që kjo njihet si “analiza e kostos dhe përfitimit”.

Gjithashtu, duhet të merret në konsideratë dhe nuk duhet anashkaluar fakti se sa është e pranueshme kostoja e politikave apo e projekteve gjegjëse nga qytetarët/shoqëria, gjegjësisht kërkohet pëlqimi i qytetarëve në implementimin e tyre.