Politika si profesion, profesioni si politikë!

0

Granit Hoxha – Politolog i diplomuar

 

Koncepti politikë është shumë i gjërë dhe përfshin çdo formë të veprimtarisë udhëheqëse, gjegjësisht synimin për pushtet ose për ndikimin e ndarjes së pushtetit (funksioneve), qoftë mes shteteve, qoftë mes grupeve të ndryshme brenda një shteti. Ekzistojnë dy mënyra për të bërë politikë: ose jeton “për politikë”, ose jeton “prej politikës”, ku në parim njerëzit më shumë nga përfitimi material, i bëjnë të dyja mënyrat e politikës.

Prej politikës jeton ai, i cili nga politika synon dhe e arrin qëllimin që të bëj një burim të ardhurash. Me fjalë të tjera, disa njerëzëve i’u mundësohet që t‘u plotësohen edhe dëshirat përmes të ardhurave që i’u sjell politika, kurse disa njerëzëve të tjerë nuk i’u plotësohen as nevojat jetësore. Kjo ka bërë që të jemi këtu ku jemi sot, me “politikan jo të skamur” dhe me “qytetar të papunë”, të cilët kohëve të fundit po largohen vazhdimisht nga vendi i lindjës për një jetë më të mirë.

Në të kaluarën kemi pasur dhurimin e tokës që është dhënë nga princat feudal si shpërblim për njerëzit e tyre besnik. Kurse, sot kemi funksionet në administratë, të cilat jepen nga udhëheqësit e partive si shpërblim për njerëzit e tyre të afërt. Të gjitha “luftimet partiake” janë luftime për ndarjen e posteve personave me të besueshëm dhe për “rahatimin” e tyre në punët që nuk janë të profesionalizuar.

Partitë politike shqiptare në vendin tonë janë parti që shoqërohen gjithmonë me konflikte interesi të vazhdueshme mes tyre siç po ndodhë konflikti për postin e deputetit në Kuvendin e Malin të Zi. Kurse, në anën tjetër kemi rritjen e vazhdueshme të numrit të posteve si rrjedhojë e lakmisë politike, që kjo e fundit shkakton të mos merrën fare parasysh kualifikimet e individeve, të cilët punësohen nga “gjuetia e votave”.

Çdo kush ka të drejtë për t’u zgjedhur, mirpo kjo e drejtë duhet të shoqërohet me përgjegjësi, me synime të qarta e të deklaruara dhe me përkushtim në realizimin e synimeve të deklaruara. Pra, kjo e drejtë po abuzohet në masë të madhe dhe e drejta për t’u zgjedhur po cenon interesat e qytetarëve.

Nëse të zgjedhurit nuk i përmbahen zotimëve dhe synimeve të deklaruara është qytetari, ai i cili me votën e tij duhet t’i ndëshkojë. Pra, qytetari duhet të hapi një perspektivë në të cilën politikani është në shërbim të qytetarit, e jo siç po të ndodhë të jetë qytetari në shërbim të politikanit. Qytetari duhet të kuptojë dhe të vetëdisohet që vota e tij është ajo e cila bie në pozitën udhëheqëse.

Marrja me politikë në vendin tonë apo thënë më mirë krijimi i partive politike është kthyer në biznes, ku mbizotëron mendimi për të siguruar të ardhura për interesa personale, duke mos punuar e mos kontribuar për interesa të qytetarëve.

Sot ballafaqohemi me organizime partiake, që për synim kanë vetëm përfitimin dhe interesin personal me anë të përvetësimit politik të institucioneve. Kjo vërehet qartë me punësimet që bëhen në baza partiake, ku punësohen njerëz të partive politike jo të aftë dhe jo meritor, e në disa raste njerëzit shpërblehen edhe me paga pa shkuar fare në punë.

Kjo mënyrë e jetës politike që po mbizotëron tek ne është e mundshme në saje të kulturës së ultë politike dhe papërgjegjësisë së lartë të politikanit, i cili shënon vazhdimisht rritje ekonomike në kurriz të qytetarit. Kurse, rruga e kryerjes së punës me përgjegjësi dhe në mënyrë profesionale e politikanit do të mbesë me sa duket ende e largët dhe e paarritshme.