Policia e Kosovës ndalon Marko Gjuriçin në Graçanicë

0

I ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, është ndaluar mbrëmë nga policia e Kosovës në Graçanicë, zonë e populluar kryesisht nga serbët.
Pas rreth gjysmë orë diskutime midis palëve, Gjuriç është lejuar që të qëndrojë mbrëmjen e shkuar brenda territorit të Kosovës.
Radio Televizioni publik serb, RTS, shkruan se policia e Kosovës i ka kërkuar zt.Gjuriç që ta shoqëronte deri në Merdar, pika kufitare midis dy vendeve, në të kundërt do të arrestohet. Atje janë mbledhur edhe qytetarë serb, duke brohoritur:“Serbia, Serbia”.
Gjuriç ka deklaruar se kishte hyrë në mënyrë të rregullt në Kosovë, e vizitë e cila do të përfundonte këtë të enjte në mëngjes, e cila është në përputhje me marrëveshjen e mëparshme midis Prishtinës dhe Beogradit.
Gjuriç ka deklaruar për RTS-në se njësitë speciale të policisë së Kosovës janë përpjekur për ta ndaluar dhe për ta nxjerrë nga Kosova.
“Unë nuk e di se për çfarë qëllimi do të më merrnin mua. Kanë qenë të shumtë në numër dhe të armatosur deri në dhëmbë. Qytetarët rrethuan grupin e policisë”, tha Gjuriç.
“Ata u përpoqën që të na poshtërojnë, por nuk mund të sillen si të duan në vendin tonë”, shtoi ai. Gjuriç shtoi se nuk mund ta mendonte se çfarë ndodhte me serbët çdo ditë.