Plani Hapsinor: Pranohen shumica e propozimeve

0

Para disa ditëve u mbajt mbledhja e përfaqsuesve të Komunës, Ministrisë së turizmit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe Qendrës për arkitekturë dhe urbanizëm, në lidhje me planin hapsinor të komunës së Ulqinit.

Siç mëson portali ynë, 80% e propozimeve të Kuvendit janë pranuar, por ka pasur edhe refuzime.

Nga propozimet e pranuara bjen në sy ai i ndalimit të ndërtimit në Valdanos, lidhja e pjesëve urbane të qytetit me rrugë të shpejtë me rrugën ndërkombtare Krythë-Sukobinë, si dhe njohja e objekteve fetare të Shasit (gërmadhat e kishave) si monumente me rëndësi kulturore dhe historike.

Propozimi i komisionit që në zonën prej Pinjeshit deri te Kepi i Gjeranave të parashikohen ndërtime me koeficient të ulët, në mënyrë që pronarët e tokave të kenë mundësi ti shfrytëzojnë, nuk u pranua.

Edhe koeficientat e ndërtimit në zonën e fushës së Ulqinit janë ulur, kurse sekretariati për mbrojtjen e mjedisit obligohet ti mundësojë perpunuesit bazat katastrale.

Versioni përfundimtar i këtij plani fillimisht do të shqyrtohet në Kuvendin e Ulqinit, e pastaj do ti kalojë për miratim qeverisë.