Pavarësia e Maqedonisë, shqiptarët me status të papërmirësuar

0

Republika e Maqedonisë sot shënon 25 vjetorin e pavarësisë. Për deputetët shqiptarë të përbërjes së parë parlamentare, Maqedonia si shtet, gjatë 25 viteve, ka dështuar në ndërtimin einstitucioneve demokratike, ndërkohë që vendi ngec në rrugëtimin drejt strukturave euroatlantike. Në fokus ata vendosin mos përmirësimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoni.
Mersim Pollozhani, njohës i çështjeve juridike, deputet i përbërjes së parë parlamentare gjatë viteve 1991 deri në vitin 1994, thotë se shumë pak është bërë në drejtim të përmirësimit të statusit juridik të shqiptarëve të Maqedonisë, gjatë kësaj periudhe prej dy dekada e gjysmë.
Pollozhani nënvizon se strukturat udhëheqëse maqedonase në vazhdimësi janë angazhuar në ndërtimin e shtetit të Maqedonisë vetëm mbi baza të kombësisë maqedonase, duke pasur si synim degradimin e statusit të shqiptarëve nga ai i kombësisë që kishin para viteve të nëntëdhjeta, në statusin e bashkësive etnike.
“Për këtë gjendje, përkatësisht status të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, në masë të madhe ka kontribuuar edhe paaftësia e shqiptarëve gjatë këtyre 20 apo 25 viteve të fundit, përkatësisht sindromi i paaftësisë së shqiptarëve për t`u organizuar në mënyrë kolektive kundër politikave nacionaliste të elitave udhëheqëse maqedonase”, vlerëson Pollozhani.
Ndërkaq Hisni Shaqiri, deputet gjatë tri mandateve të para, pas pavarësisë së Maqedonisë, i cili iu bashkua dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001, thotë se institucionet shtetërore vazhdojnë të diskriminojnë shqiptarët në të gjitha dimensionet edhe kundrejt mekanizmave të shumtë juridik që janë pjesë e Marrëveshjes së Ohrit për të përmirësuar statusin e shqiptarëve.
“Këtu në Maqedoni drejtësia është e njëanshme, selektive, gjyqësori në mënyrë jo të barabartë i trajton qytetarët shqiptarë…kjo është e dukshme në rastin e Kumanovës, por edhe rastet e më hershme, siç ishte Monstra dhe më herët rasti i Sopotit dhe ai Brodecit”, thotë Shaqiri.
Kryetari i parlamentit në përbërjen e parë parlamentare, Stojan Andov, vlerëson se suksesi i vetëm i Maqedonisë nga pavarësia qëndron në atë se mbetet i pashmangshëm procesi i mbijetesës dhe zhvillimit të Maqedonisë si shtet, pavarësisht goditjeve që merr nga qarqe të caktuara.
Në ditën e pavarësisë së Maqedonisë, presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov dhe liderët e dy partive më të mëdha maqedonase, Nikolla Gruevski, nga VMRO DPMNE dhe Zoran Zaev, nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, kanë bërë thirje për unifikim rreth realizimit të interesave kombëtare dhe atyre shtetërore.
Përderisa partitë politike shqiptare nuk kanë dhënë asnjë urim, ato nuk janë as pjesë e manifestimeve të shumta të cilat organizohen me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë si shtet.