Partitë shqiptare dhe marrëveshjet me PDS-në (DPS)

0

Ka më shumë se një muaj që skena politike e shqiptarëve në Mal të Zi, pak edhe e përgjumur nga sezoni turistik, u rigjallërua nga një marrëveshje, ose më mirë nga një plotësim i marrëveshjes në mes partisë më të madhe shqiptare dhe PDS-së.

Edhe pse ky aneks nuk duhej të ishte surprizë, dhe për përcjellësit e politikës ndoshta edhe i pritur, tek publiku u prit si dicka e pazakontë dhe me qasje të ndryshme. Disa e quanin si një mundësi për të arritur dicka për vendet ku jetojnë shqiptarët, disa si hap prapa, disa uronin miqësinë (cfarëdo që do të thotë kjo), disa shprehnin mosbesim për realizimin, e mjaft të tjera.

Ajo cka më shumë habit në këtë mes është qasja e disave, të cilët politikisht e quajnë veten neutral (edhe pse pak kush e beson), të cilët këtë marrëveshje e cilësojnë si tregti me interesat e shqiptarëve dhe bashkëpunim me armikun.

Sa për informatë, të gjitha partitë politike shqiptare janë në koalicion me PDS! Armik apo mik, ky është fakt.

Dallon vetëm arsyeja pse kanë hyrë në këtë koalicion. Dhe për këtë është mirë të thuhen disa fjalë.

Që ti qartësojmë pak gjërat është mirë të kthehemi tek marrëveshja e parë e partive shqiptare me PDS-në në pushtet, viti 1997 dhe lufta në mes Gjukanoviq dhe Bullatoviq për dominim në parti.

Atëherë Gjukanoviq, duke parë se mund të pësojë rënie nga pushteti, shfrytëzoi faktorin ndërkombëtarë, imazhin e Millosheviqit dhe gjendjen e pakicave, që të nxjerrë jashtë loje rivalin e tij. Kjo u arrit, dhe si shpërblim për mbështetjen popujve pakicë iu premtuan disa të drejta që deri atëherë nuk ekzistonin.

Sa u arrit, dhe cka nuk u respektua nga kjo marrëveshje, tani është vështirë të thuhet. Por askush nuk e quajti LDnëMZ (atëherë partinë më të madhe) si tradhtare të interesave shqiptare. Nuk kishte as arsye. Ajo kishte vepruar sipas momentit politik, dhe cfarëdo mendimit që njerëzit sot mund të kenë për atë marrëveshje, apo LDnëMZ në përgjithësi, nuk mund ta mohojë faktin e nevojës së një veprimi të tillë.

Kjo marrëveshje vlen të përmendet edhe për faktin se edhe për me shumë se një dekadë në vijim, partitë shqiptare nuk kërkuan më kushte nga PDS për mbështetje politike. Saktësisht deri në vitin 2012.

Koalicioni famëkeq UDSH-PDS, jo vetëm që nuk avancoi të drejtat dhe kushtet ekonomike të shqiptarëve, por arriti që të zhvlerësojë edhe arritjet e deriatëhershme ( ndoshta ju kujtohet ajo e famshmja “më mirë 3 mercedesa se 5 golfa”).

Që të vijmë tek një situatë tjetër politike u desh viti 2012. Partitë shqiptare, të përcara si gjithmonë , nuk arritën të bien dakord për një listë të përbashkët. Si kush e kishte fajin do ta tregojë koha, por mundi i Albin Kurtit dhe i të tjerëve shkoi bosh. Shqiptarët dolën në zgjedhje në tri kolona (ose katër).

Nga këto zgjedhje, koalicioni rreth Forcës së Re Demokratike dhe ai rreth Partisë Demokratike, arritën të marrin nga një mandat, kurse UDSH mbeti duarbosh.

Por më interesant është ajo cka ndodhi më pas. Partitë e pakicave, ajo boshnjake, kroate, dhe Forca, vendosën që të formojnë një platformë të përbashkët me të cilën do të hyjnë në bisedime me koalicionin qeverisës PDS-PSD. Koalicioni rreth Partisë Demokratike refuzoi të marrë pjesë në këtë platformë.

Udhëheqësi i listës Fatmir Gjeka, deklaroi edhe para shpalljes së rezultatit se koalicioni i tij do përkrahë koalicionin PDS-PSD. Pa kushte. Ose të paktën, pa kushte të bëra publike.

Kjo jo vetëm që nuk habiti askënd, por nga reagimi i vakët publik duket se ishte edhe e pritur.

Në anën tjetër, partitë e pakicave arritën që me platformë të përbashkët ti vendosin disa kushte koalicionit qeveritar. Partia kroate nuk kishte kërkesa specifike dhe marrëveshja e tyre me PDS-PSD u arrit shumë shpejt. Boshnjakët kërkesat kryesore i kishin rreth posteve zyrtare dhe statusit të Petnjicës e Gucisë, për cka ato ranë dakord të plotësohen në mandatin katërvjecar.

Forca kishte poashtu kërkesat e veta, që pothuajse të gjitha ndodhen në programin e vet politik, dhe jo vetëm të saj. Pikat kryesore ishin statusi i Malësisë/Tuzit, Valdanosi, ligji i ri për të Mirat Detare dhe investimet në zonat ku jetojnë shqiptarët.

Problemi ishte se koalicioni PDS-PSD nuk ishte i gatshëm ti plotësojë të gjitha këto kërkesa. Ngecja kryesore ishte rreth statusit të Tuzit dhe kthimi i pronave në Valdanos. Kjo situatë, ku asnjë palë nuk hiqte dorë nga qëndrimet e veta, vazhdoi për gati 3 vjet.

Por partia më e madhe në pushtet më në fund i bëri disa lëshime, të paktën mori zotimin se do të angazhohet në zgjidhjen e tyre. Pse pikërsisht tani e jo më parë është në varësi të situatës politike, dhe me këtë mund të spekullohet pafundësisht.

Qytetarët kanë të drejtë të jenë skeptik. Partia në pushtet shpesh herë nuk i ka mbajtur premtimet e veta, por kjo është hera e parë që ato janë në letër dhe të firmosura. Edhe publike bile. Kjo nuk është e zakontë në politikën ballkanike. Edhe nëse ato nuk realizohen, qytetarët të paktën e dinë se qeveria ka marrë zotimin për realizimin e tyre dhe ka dështuar. Këtu cdo gjë është transparente dhe e lehtë për tu vlerësuar.

Kurse analistët tanë ‘neutral’ bëjnë mirë që të japin kontributin e vet në realizimin e tyre, e jo të merren me dezorientimin e popullit për llogari të mentorëve politik, të cilët mbështetjen e vet e bazojnë në rrethimin e tokave me gardhinj në këmbim të votave, e në llogari të qytetarëve.

 

Cen Durimmadhi