Parasezoni turistik filloi premtueshëm, përfundimi duket i zymtë

0

Sezoni i sivjetshëm turistik, të paktën fillimi i tij në maj dhe fillim të qershorit, ngriti optimizmin e qytetarëve të Ulqinit dhe u dha shpresë se do të kemi një sezon pozitiv edhe këtë vit.

Por, siç vërehet këto javët e fundit, optimizmi nuk ishte edhe aq shumë real. Edhe pse hotelet dhe një numër qiradhënësish privat kanë arsye të jenë të kënaqur, të tjerët shpresat i kanë varur tashmë në sezonin kryesor.

Ajo çka vërehet qartë është një numër ndoshta më i lartë i turistëve nga vendet europiane, të cilët qëndrojnë në hotele, shkurt, dhe me shpenzime minimale. Por mungojnë turistën nga rajoni, sidomos Kosova, të cilët japin një kontribut më të madh në gjallërimin e sezonit.

Një nga pronarët e lokaleve në Ranë, i cili lëshon edhe apartamente me qira, u ankua se deri më sot nuk ka pasur asnjë mysafir, kurse pazari i lokalit është minimal.

Ajo cka vërehet me sy të lirë është se edhe nëpër plazhe ka shumë pak njerëz, bile edhe krahasuar me sezonin e kaluar, i cili dihet se filloi mjaft vonë.

Të pakënaqur me parasezonin shprehen edhe në bregdetin e Shqipërisë, ku vërehet një rënie nga viti i kaluar.

Një nga arsyet është edhe muaji i Ramazanit, por edhe ndryshimi i tendencave dhe preferencave turistike në rajon. Pushimi familjar prej 10-15 ditësh pothuajse është zhdukur, duke ja lëshuar vendin atij të tipit fundjavor apo 3-4 ditor. Shumë nga pushuesit bile preferojnë që pushimin ta kalojnë në disa vende dhe përditë e më rrallë vendosin për një destinacion të vetëm.

Poashtu edhe pushimet vjetore zakonisht merren në fund të korrikut-fillim të gushtit, duke krijuar një fluks të madh në pikun e sezonit, por i cili zgjat tepër shkurt.

Ajo cka Ulqini ka nevojë është ndoshta një ndryshim i strategjisë turstike, due iu përshtatur tendencave të reja dhe duke minimizuar në këtë mënyrë efektet negative të sezonit gjithnjë e më të shkurtër.

Secili nga ne duhet të kuptojë se plazhi dhe dielli më nuk mjaftojnë, dhe na duhet një përkushtim më i madh drejt larmishmërisë së ofertës turistike. Edhe pse ka pasur hapa të tillë vitet e fundit ( Dolcinium Kite Club, Southern Soul Festival) të cilët janë për tu lavdëruar, është e qartë se na duhet më shumë punë në këtë drejtim, pasi konkurrenca në sektorin turistik po bëhet çdo vit e më e pamëshirshme.