OSBE-ja shqyrton mënyra për parandalimin e ekstremizmit në Ballkan

0

OSBE-ja dhe shtetet e Ballkanit po punojnë për të adresuar faktorët politikë dhe socio-ekonomikë të cilët çojnë drejt radikalizmit dhe rekrutimit të terrosistëve, kanë thënë zyrtarët.

OSBE-ja ka organizuar një seminar në Shkup, i cili ka bashkuar 50 ekspertë të sigurisë dhe përfaqësues të qeverive dhe shoqërisë civile.

Në Shkup, pjesëmarrësit kanë diskutuar kontekstin më të gjerë të kërcënimit që paraqet ekstremizmi i dhunshëm dhe që çon në terrorizëm, si dhe mënyrat në të cilat partneritetet publiko-private dhe bashkëpunimi rajonal policor mund të parandalojnë dhe luftojnë terrorizmin.

Bashkëpunimi i policisë është thelbësor për sigurinë rajonale, duke pasur parasysh kërcënimin që paraqesin luftëtarët e kthyer nga Lindja e Mesme, ka thënë Ralf Breth, kreu i misionit të OSBE-së në Maqedoni.

Disa shtete, si Bosnja dhe Hercegovina, kanë vendosur dënime të ashpra kriminale për pjesëmarrësit në konflikte të huaja, në përpjekje për t’i parandaluar qytetarët t’i bashkohen këtyre grupeve radikale.

Por, ekspertët këshilluan që implementimi i disa masave të caktuara ekonomike mund të jetë çelësi i parandalimit të radikalizimit të ekstremistëve dhe kryerjes së akteve terroriste.

“Është e vështirë për shumë nga këta njerëz që të gjejnë punë, ekstremizmi është shansi i vetëm për të siguruar jetesën. Ka shumë të ngjarë që masa më e përshtatshme për të parandaluar largimin e tyre në fushëbeteja të huaja është që t’u jepet mundësi pune ose të përfshihen në ndonjë politikë sociale të qeverisë”, ka thënë Blagoja Markovski, presidenti i Forumit Ballkanik të Sigurise në Shkup.