Orë përkujtimore për piktorin Gjelosh Gjokaj

0

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” organizoi sot orë përkujtimore kushtuar piktorit të mirënjohur shqiptar Gjelosh Gjokaj, me rastin e ndarjes së tij nga jeta.

Në ambientin e Bibliotekës së Qytetit në Ulqin, u mblodhën miq të piktorit, dashamirë të pikturës, artit, kulturës, u mblodhën plot njerëz, ata të cilët me prezencën e vet donin të nderonin këtë shpirt artisti, i cili gjithë jetën ia kushtoi artit.

Për jetën dhe veprën e piktorit Gjokaj, të pranishmit i rikujtoi piktori Qazim Muja dhe më pas fjalën përmbyllëse e mbajti Ismet Kallaba, kryetar i Art Club-it.

Gjelosh Gjokaj, i lindur në vitin 1933 në Milesh të Tuzit, ishte figurë e shquar, intelektual i cili i dha shumë kulturës shqiptare, por që përjetësisht i mbylli sytë në një spital të Bayernit të Gjermanisë dy ditë më parë, më 25 shtator 2016, në moshën 83 vjeçare.

Shkollën e Mesme të Artit dhe studimet e larta në Akademinë e Artit i përfundoi në Beograd dhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës themeloi degën e grafikës. Jetën e çoi jashtë atdheut, në Romë dhe së fundmi në Augsburg, Gjermani.

Thonë që artistët nuk vdesin kurrë dhe këtë do ta dëshmojë edhe piktori në fjalë meqë vepra e tij do jetojë për atë, për të komunikuar përherë me publikun. Ndër veprat e tij më të njohura mund të cilësohen: cikli i pikturave “Ditari nga Roma”, “Zogjtë”, “Roboti”, piktura “Eksodi” (1975) etj.