Opinion: Planet dhe ekskavatorët

0

Ndryshe nga qytetet e tjera bregdetare, ku po plasin dorëheqjet dhe akuzat, situata në komunën e Ulqinit është krejtësisht normale. Koalicioni qeverisës po qeveris në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe, edhe pse i brishtë, siç pretendohet nga kryetari Fatmir Gjeka, është plotësisht i qëndrueshëm.

Genci Nimanbegu, këshilltar i Forcës, e cila është në pushtet së bashku me Partinë Demokratike të Gjekës, tha së fundmi publikisht se ai nuk do ti japë mbështetjen koalicionit në qoftë se miratohet vendimi për zgjedhjen urbano-arkitektonike të Ranës, në të cilën është planifikuar të ndërtohet një ashensor në muret e qytetit të vjetër. Vendimi u miratua, dhe kolegu i Nimanbegut Fuad Haxhibeti,  për të hënën ka thirrur seancën e Kuvendit lokal me 24 pika të rendit të ditës.

Udhëheqësi i Forcës Nazif Cungu, i cili ka mbështetur qëndrimin e Nimanbegut, tha se Gjeka po përshpejton punën për përgatitjen e dokumentacionit në mënyrë që të ndalohet ndërtimi i ashensorit në vendin që me konkurs ishte planifikuar nga arkitekti dhe kreu lokal i PSD (SDP) Selim Resulbegoviq, kundërshtari tij i ashpër politik.

Këshilltari dhe zyrtari i lartë i URA-s, Dritan Abazoviq, i cili është gjithashtu në koalicionin qeverisës me Gjekën dhe Nimanbegun, ka akuzuar së fundmi publikisht Forcën se po përpiqet ë fuse PDS-në në pushtet nga dera e pasme. Kryetari i PDS (DPS) së Ulqinit Loro Nrekiq, tha se partia e tij do të kalojë së shpejti nga bankat e opozitës në ato të pozitës, me rekomandimin të Jusufit nga Tivari, cka do të thotë një dietë të shëndetshme me bazë mjaltin.

Këshilltari I PPS-së(SNP) Andrija Qetkoviq beson se të dy po tallen me popullin. Kreu i UDSH-së Mehmet Zenka tha se qeveria aktuale është e bazuar në kompromise të kalbura dhe së shpejti do të bie si flluska e Merix-it.

Komuna dhe ndërmarrjet publike nuk kanë paguar rroga me muaj, dhe pritet që qeveria e qëndrueshme dhe opozita konstruktive, e cila mblidhet në Kuvend një here në gjashtë muaj, bashkarisht të bëjnë emërimin e rrugëve dhe bulevardeve.

Plotësisht normale dhe e rregullt është edhe situata në vendin e ndërtimit të hotelit të ri “Jadran”, “Galeb” dhe “Lido”.

Situatë në fakt nuk ka, dhe për këtë arsye duhet të përgëzohen investitorët me përvojë, të cilët në këto lokacione atraktive kanë frenuar ndërtimin e paligjshëm. Neckermann dhe operatorët e tjerë turistikë europian, duhet të paralajmërohen që të mos pyesin për Galebin dhe Lidon, pasi kjo mund të karakterizohet si ndërhyjë në punët e brendshme të qeverisë dhe shtetit.

Ministri i Turizmit dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, Branimir Gvozdenoviq, gjatë një vizite të fundit në Ulqin, zbuloi se ndërtimi i Jadranit mund të fillojë së shpejti, ndërsa Galebi dhe Lido, ose pronarët e tyre, ose ata që i kanë rrënuar, po presin realizimin e projektit për ndërtimin e kolektorëve të ujërave të zeza. Kryeministri së fundmi në Kuvend e arsyetoi vonesën e ndërtimit të hoteleve me mungesën e planeve. Anëtarët e komisionit të tenderit, Predrag Neneziq, Branko Vujoviq dhe Miodrag Jakshiq, sic duket këtë nuk e kanë ditur kur kanë shitur hotelet dhe llogaritur dinamikën e punimeve. Këtë nuk e dinin as blerësit, përndryshe nuk do të ishin zotuar me kontratë që ato të vihen në funksion deri në vitin 2010.. Deri më sot, publiku nuk është informuar se kush dhe pse i fshehu planet.

Pronari i tokës, ku ishte hoteli Lido, për shkak të këtij mosveprimi, tani nga ana e Qeverisë dhe Komunës kërkon që nga Port Milena të fryjë era parfum, dhe uji ti vijë ekskluzivisht nga ngushtica e Otrantos. Kolegu i tij i cili rrëzoi Galebin vazhdon të zhvillojë më tej biznesin me kioska, me kuzhinier, kamerierë dhe recepcionerë të kualifikuar.

Ndërtimi i akua parkut në Shtoj u shty për shkak se ministria në Podgoricë dhe Komisioni në Tivar, me vite i anullojnë vendimet e njëri-tjetrit për kthimin e tokës. Investitori i njohur nga Turqia nuk e  kishte shumë të qartë se si funksionojmë dhe na dërgoi përshëndetjet.

Emëruesi i përbashkët i të gjithë investitorëve në Ulqin është se kur dalin jashtë qytetit sikur i përpinë toka. Rrëshqitja e dheut në Krruc ka hapur gropa , por jo aq të mëdhaja sa pë të përpirë njerëz…

Nirvanë kemi edhe në Kripore, në qoftë se nuk llogarisim faktin se tërë Europa është ngritur të ruajë si fabrikën ashtu edhe habitatin e rëndësishëm për flamingot. Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Stabilizim dhe Asocim midis BE dhe Malit të Zi, Aneliz Dodds, tha se shteti duhet të zgjidhë çështjen e Kripores në qoftë se duan të hapin Kapitullin 27 në lidhje me mbrojtjen e mjedisit. Ambasadorja e Gjermanisë, Gudrun Shtajnaker, tha se Kriporja është interes i përbashkët europian dhe se nuk duhet të lejohet shkatërrimi i mëtejshëm. Darko Saveljiq nga Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Zogjëve (CZIP) vlerësoi se nga mbijetesa e Kripores varet reputacioni ndërkombëtar i vendit tonë. Ekspertët pajtohen se Kriporja zyrtarisht duhet të shpallet zonë e mbrojtur dhe park i natyrës.

Pronarët janë të shqetësuar për vonesën e procedurës para gjykatës kompetente, që kërkon kthimin e statusit të tokës për ndërtim në Kripore, në mënyrë që të ndërtojnë. Drejtori administrativ Ognjen Jovoviq, duket i hutuar për shkak se çdo metër katrorë i Kripores është pjesë e pasurisë së falimentimit, dhe jo ndonjë zonë e mbrojtur.

Ai muajin e ardhshëm  do të shpallë ankandin e trembëdhjetë publik për shitjen e të gjitha aseteve të Kripores me një kosto prej rreth 150 milionë eurosh. Menaxhuesit dhe pronarët ende janë duke zgjidhur një ekuacion të ndërlikuar me një të njohur, një të panjohur, dhe një ndryshore, për të gjetur saktësisht se sa kanë investuar këto njëmbëdhjetë vitet e fundit në fabrikë, pasi e dinë se e kanë blerë për më pak se një milion.

Ekskavatori për mirëmbajtjen e habitateve të shpendëve, dhuratë nga EURONATUR, ka avulluar nga fabrika disa vite më parë. Hetuesit janë ende duke punuar, pasi sipas ligjeve të vendit tonë, materia e ngurtë nuk mund të avullohet…

Gjendja është e rregullt edhe në Port Milenë, ku turistët, gjersa fotografojnë kalimerat e lashta, masin edhe kapacitetin e mushkërive të veta. Sezoni filloi mirë dhe nga Organizata Turistike e Ulqinit janë të gatshëm për pritjen e turistave. Këtu, natyrisht, nuk llogaritet mungesa e udhëzuesve turistik dhe parkimit, mbeturinat e tepërta dhe hallakatja e paharrueshme në kalldrëm …

 

Samir Adrovic

/vijesti.me/