OjQ-të çojnë kërkesë për themelimin e Këshillit për zhvillimin e vetëqeverisjes lokale

0

Në adresë të portalit tonë ka mberritur një shkresë nga OJQ Horizonti i Ri në lidhje me zvarritjen e themelimit të Keshillit të vetëqeverisjes lokale.Shkresën po e japim në terësi.

 

KËSHILLI PËR ZHVILLIMIN DHE MBROJTJEN E VETËQEVERISJES LOKALE.

Organizatat e shoqërisë civile, por edhe subjekte dhe individë të tjerë, shprehin pakënaqësi dhe vërejtje ndaj punës së Shërbimit të Kuvendit të Komunës së Ulqinit dhe trupave të Kuvendit, lidhur me zvarritjen dhe mospërfilljen e procedurave për themelimin e KËSHILLIT PËR ZHVILLIMIN DHE MBROJTJEN E VETËQEVERISJES LOKALE.

Statuti i Komunës së Ulqinit rëndësinë e këtij këshilli e ka përshkruan kështu: “Për të realizuar ndikimin demokratik të qytetarëve në avancimin e vetëqeverisjes lokale, Kuvendi themelon Këshillin për zhvillimin dhe mbrojtjen e vetëqeverisjes lokale” (neni 187).
Poashtu, Statuti i Komunës (në nenin 191) përcakton që ky Këshill duhet të zgjidhet në afat prej 60 ditëve, nga dita e konstituimit të Kuvendit.
Për opinionin e gjerë duhet të përkujtojmë se gjatë muajit korrik të këtij viti, Kuvendi ka shpallur thirrje publike për kandidimin e anëtarëve të këtij Këshilli. Në këtë thirrje janë paraqitur, sipas të gjitha procedurave të parapara, përfaqësues të shoqërisë civile dhe individë të dalluar të komunitetit lokal, në mesin e tyre edhe dy personalitete me gradën “doktor shkence”.
Kanë kaluar gati 5 muaj nga mbyllja e procedurës së kandidimit dhe Kuvendi i Komunës ende këtë pikë nuk e ven në rend të ditës.

Mbledhja e fundit e Parlamentit lokal për këtë vit ishte edhe arsyeja që organizatat e shoqërisë civile të kërkojnë nga Kryetari i Kuvendit një përgjigje zyrtare se pse është bllokuar themelimi i Këshillit për zhvillimin dhe mbrojtjen e vetëqeverisjes lokale.

Me Ligjin mbi Vetëqeverisjen Lokale, ky Këshill është futur në legjislacion si instrument që kontribuon në zhvillimin e komunitet lokal dhe siguron nivel më të lartë të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të qytetarëve, por edhe të vetëqeverisjes lokale në tërësi.

Personat e shquar në komunitet meritojnë përgjigje adekuate dhe respekt.