Një falenderim për ata, puna e të cilëve shumë pak çmohet

0

Të mësuar me lavdërime, plotësisht të merituara, që u thurim sportistëve, artistëve dhe personazheve të tjerë që na zbavisin në forma të ndryshme, shpeshherë harrojmë ata që me punën e tyre bëjnë të mundur funksionimin e qytetit, mbrojtjen dhe mbarëvajtjen e tij gjatë sezonit turistik, por edhe pas tij.

Padyshim që merita kanë persona nga shumë sfera, dhe është e pamundur që ti përmendim të gjithë ato e as duam që këtë falenderim ta bëjmë në mënyrë kolektive.

Kësaj radhe falenderimi jonë do tu shkojë atyre që shpesh me punën e tyre vejnë në rrezik edhe jetën, nuk kanë orar të saktë pune, punojnë ditën edhe natën, dhe për këtë rrallëherë përmenden.

Ose më saktë, sic e kemi zakon ne, i përmendim vetëm kur kemi ndonjë ankesë ose kritikë, pa menduar shumë se sa me vend ose të drejtë e kemi.

Falenderojmë antarët e Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit, për punën e tyre të palodhur në luftën kundër zjarreve dhe sanimin e pasojave të tyre. Ato gjatë gjithë sezonit intervenuan mbi 200 herë, shpesh në kushte të rënduara, për tu mundësuar të tjerëve gjumë të qetë. Ato nuk kanë as mirënjohje financiare e as njerëzore për punën e tyre, por përsëri e bëjnë atë.

Disa të punësuar të tjerë në institucionet lokale duhet të marrin shembull.

Falenderojmë stafin dhe punëtorët e ndërmarrjes publike “Veprimtaritë Komunale”, pa punën  të cilëve qyteti do të ndodhej në kolaps mbrenda 24 orëve. Edhe pse kanë një numër të kufizuar të punëtorëve fizik, ato arritën që ta kryejnë punën e vet dhe mbajnë në normalitet pastërtinë e qytetit.

Ne sigurisht kemi shumë ankesa, ashtu sic kanë edhe ato. Kanë muaj pa marrë rroga, por punën e kanë kryer. Kuptohet që mundet edhe më mirë, ashtu sic edhe ne mund ti hedhim mbeturinat më me rregull.

Mbarimi i sezonit turistik nuk do të thotë se në Ulqin ka mbaruar edhe jeta. Edhe pse në formë më të ngadalsuar, përsëri ajo vazhdon, dhe përsëri kemi nevojë për punën e njerëzve të mirë.

Festa e Kurban Bajramit është një moment kur njerëzit duhet të lenë mënjanë problemet dhe ti japin dorën njëri tjetrit, sidomos atyre që kanë më shumë nevojë.

Fatkeqësisht, jo të gjithë ne jemi aq të vetëdijshëm.

Për atë arsye, një falenderim i veçantë i shkon shoqatave bamirëse në Ulqin, sidomos shoqatës “Bereqeti” e cila punon në kuadër të Bashkësisë Islame, si dhe Xhamisë së Klleznës.

Ato edhe këtë herë me punën e tyre mundësuan që Bajrami të festohej dhe në shtëpitë e familjeve në nevojë.

Shoqata “Bereqeti” bëri shpërndarjen e mishit të kurbanit tek të vobektit, kurse Xhamia e Klleznës shpërndau 141 shporta të Bajramit, në të cilat ndodheshin gjërat elementare ushqimore dhe higjenike për familjet në nevojë.

Pasi vështirë se do të kenë mirënjohje të madhe nga njerëzit në tokë, le të shpresojmë dhe urojmë që të kenë mirënjohje nga Zoti në qiell.

Faleminderit!