Nimanbegu – Shala: Të intensifikohet bashkëpunimi kulturor

0

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, priti sot në një takim një delegacion të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të Zi, të kryesuar nga Genci Nimanbegu, kryetar dhe deputet në Parlamentin e Malit të Zi.

Ndërmjet ministrit Shala dhe kryetarit Nimanbegu, u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit kulturor ndërmjet institucioneve kulturore të Kosovës dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të Zi. Ministri Shala dhe kryetarit Nimanbegu u dakorduan për nevojën e thellimit të bashkëpunimit dhe intensifikimin e marrëdhënieve kulturore mes Kosovës dhe shqiptarëve të Malit të Zi.

Ministri Shala shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve dhe po ashtu me institucionet shtetërore, në funksion të përmirësimit të jetës kulturore të shqiptarëve të Malit të Zi.

Ministri Shala u dakordua që të ndihmojë aktivitet kulturore të shqiptarëve në Mal të Zi, me përfshirjen e grupeve artistike e kulturore nga Republika e Kosovës.

Pas realizimit të Kalendarit të Përbashkët Kulturor me Ministrinë e Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe pas bashkëpunimit të suksesshëm me Komunën e Strugës, për të realizuar sivjet “Javën Kulturore” në Strugë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, me bashkëpunimin me shqiptarët e Malit të Zi, synon të ndihmojë në dinamizmin e jetës kulturore ndërnacionale, me qëllim të njohjes, afrimit dhe promovimit sa më të gjithanshëm dhe sa me cilësor të kulturës shqiptare.