Nimanbegu: Pjesë e qeverisë së re vetëm me një kusht

0

Në intervistën  që deputeti i Forcës së Re Demokratike, njëherit edhe bartësi i listës “Shqiptarët e vendosur”, Genci Nimanbegu, dha  për të përditshmen “Vijesti”, e theksoi të mundshëm koalicionin me qeverinë e ardhshme, por vetëm me kushtin që faktori ndërkombëtar të jetë ndërmjetës në arritjen e marrëveshjes, duke mundësuar  besueshmërinë që ajo marrëveshje të respektohet dhe të realizohet tërësisht.

Në pyetjen e shtruar  se si i komenton akuzat e Abazoviqit se partitë shqiptare manipulohen nga PDS-ja , Nimanbegu tha se nuk e gjen veten të pasqyruar në ato akuza. Madje, ai shtoi: “E kuptoj që, sot, të jesh shqiptar në Mal të Zi dhe të luftosh për të drejtat e tua, për zhillimin ekonomik dhe social nuk është e lehtë, por  për fat të keq, siç duket një grup i vogël njerëzish kanë përzgjedhur vetëasimilimin. Jemi të vendosur dhe të bashkuar me shumicën e shqiptarëve dhe besojmë më shumë se kurrë se të bashkuar mund t’i tejkalojmë kohërat e vështira.”

Në lidhje me përkrahjen e ligjit për legalizimin e objekteve të paligjshme, i cili në media trajtohet si hapje e dyerve për legalizimin e objektit skalndaloz në Kala, Nimanbegu tha se ky objekt nuk mund të legalizohet pa vendimin e Ministrisë, Entit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Komunës së Ulqinit. Ai shpjegoi se ligjin e përkrahu pasi u mundëson mijëra njerëzve të legalizojnë shtëpitë e tyre, në anën tjetër është dobiprurës për Komunën meqë i mundëson të ardhura më të mëdha nga vjelja e tatimeve.