Nimanbegu: Festat kombëtare, e drejtë kushtetuese

0

Dilema rreth Shqipërisë së Madhe është e rrejshme, sepse nuk e përkrah asnjë adresë relevante, por që kremtimi i ditës së Flamurit është festë kombëtare dhe nuk ka asnjëfarë lidhje me këtë, thotë Genci Nimanbegu, nënkryetar i Forcës Demokratike, deputet dhe kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Ai të përditshmes Blic të Malit të Zi tha se popujt tjerë në Mal të Zi shumë më pak i dallojnë veprimet e veta nacionaliste, për të cilat tha, janë shumë më të shpeshta.
“Është më se e qartë se aktualizimi i çështjes të së ashtuquajturës idejë të Shqipërisë së Madhe është dilemë e rrejshme dhe se nuk i atribuohet asnjë personaliteti relevant, as në Shqipëri, e as në Mal të Zi. Shqiptarët janë të orientuar kah ideja e bashkimit të Evropës dhe integrimit në NATO. Kryeministri i Shqipërisë, si dhe ai i Kosovës janë të qartë në mesazhet e veta paqësore në drejtim të bashkëpunimit rajonal. Shqiptarët janë faktor i stabilitetit në rajon dhe në Mal të Zi”, thekson ai.
Sipas fjalëve të tija, Mali i Zi në 15 vitet e fundit ka mësuar nga ngjarjet në rajon. “Tashmë me një pjekuri të madhe evitohen provokimet ndëretnike. Si pjesëtar dhe përfaqësues i Shqiptarëve në Mal të Zi më brengos distanca e madhe etnike ndaj popullit tim, dhe që si pasojë e kësaj, popujt tjerë në Mal të Zi kumtesat dhe veprimet e veta nacionaliste nuk i vërejnë, dhe njëkohësisht alarmohen në mënyrë të panevojshme kur shohin flamurin tonë kombëtar”, thekson Nimanbegu.
Genci tha se Dita e flamurit është festë e të gjithë shqiptarëve, me 28 nëntor të vitit 1443 Skenderbeu ka ngritur flamurin shqiptar në Krujë. Gjithashtu, në vitin 1912 është shpallur pavarësia e Shqipërisë në Vlorë.
“Si kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve pata nderin që ti drejtohem të pranishmëve në akademinë festive në Ulqin. Në këtë kremtim kemi ftuar korin diplomatik dhe Ministrinë për të drejtat Njerëzore dhe të Pakicave, kryetarët e Komunave, këshilltarë dhe deputetë.
Patëm nderin që këtë aktivitet, që e finanson Fondi për të drejtat e pakicave, ta shënojmë me shfaqjen e orkestrit Kombëtar të baletit dhe Operas nga Tirana. Është e drejta e jonë kushtetuese që në mënyrë të denjë ti shënojmë festat kombëtare. Nëqoftëse kjo i pengon dikujt, atëherë ky është problemi i tij”, përfundoi ai.
Burimi: Analitika, Blic, CdM